Qartësia teknike dhe konfuzioni politik

Prishtinë | 21 Kor 2026 | 22:18 | Nga Ekonomia Online

Asaj të moçmes, të njohur thjeshtë si ‘e treta, e vërteta’, nuk duket që mund t’i besohet. Së paku kësaj here. Dhe së paku kur flitet për rrjedhat në skenën politike të vendit.

Është kjo vera e dytë e mbushur me pritjet e qytetarëve të Kosovës për një pajtim apo marrëveshje (thënë më mirë), në mes të liderëve dhe partive tona, ashtu që Kosova të bëhet me pushtetin e plotë qendror, i cili përfshinë Kuvendin, Qeverinë dhe Presidentin.

Teknikisht, gjithçka është e qartë. Por kjo qartësi teknike nuk do të thotë që do të prodhojë një realitet institucional në vend.Lëvizja ‘Vetëvendosje’, me rezultatin e zgjedhjeve të qershorit të këtij viti, mund t’i prijë procesit të konstituimit të legjislaturës së njëmbëdhjetë dhe për më shumë, mund ta bëjë edhe Qeverinë e re të Kosovës, pa pasur nevojë për përkrahjen e akëcilës parti politike shqiptare.

Por në anën tjetër, sërish në vijim të kësaj qartësie teknike, zgjedhja e Presidentit të Kosovës kërkon një dakordim më të gjerë politik i cili duhet patjetër ta mbërrijë atë numrin magjik prej së paku 80 deputetëve të cilët marrin pjesë dhe votojnë në seancë.Kjo është një histori e njohur për të gjithë. Zaten, nuk ka qytetarë në vend i cili tash nuk i ka të ditura dhe të qarta të gjitha këto elemente të procedurave parlamentare dhe kushtetuese. Dhe po ashtu, vështirë që mund të gjendet qytetar në këtë Kosovë, i cili mund të justifikojë mungesën e vullnetit politik për t’i shkuar deri në fund këtyre procedurave të cilat e përkthejnë rezultatin e zgjedhjeve në krijimin e pushtetit qendror. Për të cilat edhe votohet, apo jo.Por, gjërat kësaj radhe, duket se janë edhe më të ndërlikuara se rëndom në këtë politikën vendore, e cila në gati dy vitet e fundit ka pasur lëmshin si figurë që i ri mirë tipareve të saj.

PDK, si partia e dytë në vend, sipër deklaratës së Kryetarit të saj, Bedri Hamzës, ka vendosur të qëndrojë në opozitë. Këtë, në parim e ka bërë edhe AK e Ardian Gjinit, e cila megjithatë ka lënë të hapur mundësinë për të marrë pjesë në votimin për Presidentin e ri, nëse Albin Kurti, si kryeministër i ardhshëm i Kosovës, do t’i përfillë gjashtë kërkesa të kësaj partie.Kështu, siç po del (në këtë përshkrim që i referohet qëndrimeve publike), në këto rrethanat e tanishme, vetëm LDK e Lumir Abdixhikut, do të mund të ishte partner i Lëvizjes ‘Vetëvendosje’ kur bëhet fjalë për ndërmarrjen e bërjes së Kosovës me pushtetin qendror.

Megjithatë, këto bisedime që nisën para dy javësh, tani kanë statusin e të qenit të pezulluara, si pasojë e zhvillimeve të njohura në LDK.

LDK-në e pret një Kuvend i ri, ku sërish, për të dytën herë gjatë këtij viti, Abdixhiku do t’i nënshtrohet votës së mirëbesimit.Po del pra që pa e ditur epilogun e këtij Kuvendi të LDK-së, nuk mund të merret vesh se çka mund të sjellë vet dita e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, me 7 gusht.

Nëse LDK nuk do të arrijë ta gjejë veten në këtë Kuvend, dhe disi t’i lë prapa lëkundjet e mëdha kur bëhet fjalë për të tashmen dhe të ardhmen e vet, atëherë, do të jetë thjeshtë e pamundur që të ketë afrim të pozicioneve në mes të LDK-së dhe ‘Vetëvendosjes’.

Nëse LDK e ruan disi unitetin, diçka e tillë edhe mund të ndodhë. Por, pakkush këtupari do të vinte bast që LDK megjithatë, do ta mbijetojë dhe madje, do ta tejkalojë këtë çarje të re brenda vetes.Në të kundërtën pra, skena politike kosovare duket se i ka vetëm dy rrugë para në javët dhe muajt e ardhshëm: Një pajtim gjithëpërfshirës për figurën e Presidentit, teksa Qeveria do të bëhej prej ‘Vetëvendosjes’, ose sërish zgjedhje, në vjeshtën e vonë të këtij viti.

Të ngjashme