Jadon Sancho po shqyrton opsionet për të ardhmen e tij, pasi aventura e tij e trazuar te Manchester Unitedi përfundoi zyrtarisht në qershor.
Sipas raportimeve, anësori anglez ka marrë një ofertë për një fillim të ri në Katar, ku Al-Rayyan dëshiron ta transferojë si lojtar të lirë.
Sipas “Foot Mercato”, ish-sulmuesi i Manchester Unitedit është në bisedime me klubin katarian Al-Rayyan, ndërsa kërkon një skuadër të re ku të vazhdojë karrierën.
26-vjeçari është zyrtarisht lojtar i lirë, pasi kontrata e tij me “Old Trafford” ka skaduar, dhe klubi nga Lindja e Mesme dëshiron të përfitojë nga kjo mundësi për të përforcuar repartin ofensiv.
Al-Rayyan i ka paraqitur një ofertë zyrtare Sanchos, me synimin për ta bindur të transferohet në Qatar Stars League.
“Luanët”, një nga klubet më prestigjioze në rajon, besojnë se ish-ylli i Borussia Dortmundit mund të bëhet figura kryesore e projektit të tyre.
Sancho iu bashkua Manchester Unitedit në verën e vitit 2021 për 73 milionë funte, por nuk arriti asnjëherë të sigurojë një vend të qëndrueshëm në formacionin titullar, pavarësisht ndryshimeve të trajnerëve.
Marrëdhënia e tij me klubin u përkeqësua me kalimin e kohës dhe ai u huazua te Borussia Dortmundi, Chelsea dhe Aston Villa. Pavarësisht talentit të tij të padiskutueshëm, anësori i lindur në Londër e pati të vështirë të përshtatej me kërkesat taktike të Premier League.
Gjatë sezonit 2025/26, Sancho luajti si i huazuar tek Aston Villa, ku pati një rol dytësor në një sezon historik për klubin nga Birminghami. Edhe pse ndihmoi skuadrën e Unai Emeryt të fitonte trofeun e Ligës së Evropës, ai nuk ishte titullar i rregullt, duke qenë në formacionin startues vetëm në 18 nga 39 paraqitjet e tij në të gjitha garat.