Sipas raportimeve nga Italia, mbrojtësi i Juventusit, Gleison Bremer, nuk është i bindur për një transferim te Galatasaray, ndaj klubi turk mund të kthejë vëmendjen te mbrojtësi i Bolognës, Jhon Lucumi.
Prej disa kohësh, dy klubet kishin arritur një marrëveshje paraprake për shumën e transferimit të mbrojtësit brazilian.
Raportimet sugjeronin se Galatasaray i kishte ofruar Bremerit një kontratë me vlerë 8 milionë euro neto në sezon, por kjo nuk duket se ka qenë e mjaftueshme për ta bindur të transferohet në Turqi.
Sipas “La Gazzetta dello Sport”, Bremer po heziton dhe në këtë moment duket se nuk ka gjasa ta pranojë ofertën e Galatasarayt.
Braziliani dëshiron ta bindë trajnerin Luciano Spalletti se meriton të qëndrojë në Torino.
Për të treguar vendosmërinë e tij, ai madje iu bashkua përgatitjeve parasezonale dy ditë më herët se pjesa tjetër e skuadrës.
Për këtë arsye, Galatasaray ka nisur të shqyrtojë alternativa të tjera, sërish në Serie A, me objektivin kryesor që është mbrojtësi kolumbian i Bolognës, Jhon Lucumi.
Ky zhvillim është një goditje edhe për Juventusin, pasi klubi bardhezi synonte ta shiste Bremerin për të krijuar hapësirë dhe fonde për transferimin e Lucumit, edhe pse Bologna kërkon 25 milionë euro për kartonin e tij.
Juventusi shpreson të përfshijë në marrëveshje edhe mesfushorin Fabio Miretti, por Bologna, sipas raportimeve, preferon vetëm një ofertë me “para në dorë”.