Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas tragjesisë që ndodhur sot në një vendpunishte ndërtimore në rrugën “Holger Petersen”, ku një punëtor humbi jetën, ndërsa një tjetër mbeti i lënduar.
Rama tha se e ka pranuar me pikëllim lajmin për humbjen tragjike të jetës së punëtorit, duke i shprehur ngushëllime familjes së viktimës dhe duke i uruar shërim të shpejtë të lënduarit.
Ai gjithashtu falënderoi Brigadën Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, Policinë e Kosovës, ekipet e Urgjencës Mjekësore, Njësinë për Reagim të Shpejtë dhe Siguri, si dhe Drejtorinë për Siguri dhe Emergjenca për reagimin e menjëhershëm dhe profesionalizmin e treguar gjatë ndërhyrjes.
Sipas kryetarit të Prishtinës, rrethanat e aksidentit po hetohen nga organet kompetente, ndërsa vlerësimi i respektimit të standardeve të sigurisë dhe mbrojtjes në punë është kompetencë e Inspektoratit të Punës.
Rama përmes një postimi në Facebook tha se siguria në punë duhet të jetë prioritet i panegociueshëm.
“Humbja e një jete në vendin e punës është një tragjedi që duhet të na rikujtojë të gjithëve se siguria në punë duhet të jetë prioritet i panegociueshëm dhe standard që respektohet në çdo vendpunishte”, deklaroi ai.