K.R.U. “Gjakova” gjen hekurë, gurë e shishe në kanalizim, paralajmëron masa ligjore

Prishtinë | 30 Kor 2026 | 16:21 | Nga Ekonomia Online

K.R.U. “Gjakova” Sh.A. ka njoftuar se gjatë ndërhyrjes për zhbllokimin e tri pusetave të kanalizimit në rrugën “Ali Pashë Tepelena” në Gjakovë, ekipet e kompanisë kanë hasur në sasi të mëdha mbeturinash të hedhura në mënyrë të papërgjegjshme në rrjetin e kanalizimit.

Sipas kompanisë, nga pusetat janë larguar kartonë, gurë, shishe qelqi, plastikë, shkopinj dhe hekurë me gjatësi deri në 1.5 metra, ndërsa punëtorët kanë punuar për orë të tëra për të liruar rrjetin.

“Nga pusetat janë larguar kartonë, gurë, shishe qelqi, plastikë, shkopinj si dhe hekurë me gjatësi deri në 1.5 metra. Punëtorët tanë kanë punuar për orë të tëra me mjete të ndryshme për të liruar rrjetin, duke u përballur me vështirësi të mëdha në terren”, thuhet në njoftim.

K.R.U. “Gjakova” vlerëson se hedhja e mbeturinave në rrjetin e kanalizimit shkakton dëme serioze në infrastrukturë dhe rrezikon funksionimin normal të sistemit të ujërave të ndotura.

“Këto veprime janë të papranueshme dhe shkaktojnë dëme serioze në sistemin e kanalizimit, duke rrezikuar funksionimin normal të rrjetit të ujërave të ndotura dhe kolektorëve, me pasoja të drejtpërdrejta për të gjithë qytetarët”, thuhet më tej.

Kompania ka bërë të ditur se kjo është hera e dytë brenda një viti që në të njëjtin lokacion hasen mbeturina të tilla, duke e cilësuar këtë si një sjellje të përsëritur dhe të papërgjegjshme.

“Kjo është hera e dytë brenda një viti që në këtë lokacion hasen mbeturina të tilla në kanalizim, çka tregon për një sjellje të përsëritur dhe të papërgjegjshme”, thuhet në njoftim.

K.R.U. “Gjakova” u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos hedhin mbeturina në rrjetin e kanalizimit dhe ka paralajmëruar veprime ligjore ndaj personave përgjegjës në rast të përsëritjes së rasteve të tilla.

“K.R.U. “Gjakova” Sh.A. u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të mos hedhin mbeturina në rrjetin e kanalizimit dhe të kontribuojnë në ruajtjen e infrastrukturës publike. Në rast të përsëritjes së këtyre veprimeve, kompania do të ndërmarrë masa ligjore dhe do të paraqesë kallëzime ndaj personave përgjegjës.”

Të ngjashme