Abdixhiku para delegatëve: Asnjë vendim nuk e mora duke menduar për vete, por për LDK-në

Prishtinë | 30 Kor 2026 | 18:40 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në fjalimin e tij para delegatëve të Kuvendit të Jashtëzakonshëm të partisë, ka folur për periudhën e udhëheqjes së tij në krye të LDK-së dhe sfidat me të cilat është përballur gjatë mandatit, raporton Ekonomia Online.

Abdixhiku ka folur edhe për përvojën e tij gjatë udhëheqjes së LDK-së, duke thënë se kjo detyrë ka qenë një përgjegjësi e madhe, por edhe një rrugëtim i përbashkët me anëtarësinë e partisë.

“Ka pasur ditë kur kjo shtëpi më ka dhënë krenarinë më të madhe. Ka pasur edhe ditë kur më ka rënduar edhe më shumë se ç’mund të bartë një njeri e ç’mund ta kem treguar ndonjëherë. Nuk kam qenë as i përkryer e as i pagabueshëm. Kam marrë vendime që mund t’i kisha marrë ndryshe. Kam marrë vendime që s’duhej t’i merrja ndryshe. Mund t’iu kem bërë krenarë e mund t’iu kem lënduar pa ndonjë dashje, por një gjë mund t’ua e them me ndërgjegje të plotë, se asnjë vendim, asnjë veprim dhe asnjë sjellje nuk e kam marrë duke menduar për veten para Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kjo shtëpi politike ka qenë familja ime. Si prijës i saj kam mbrojtur familjen time, me çdo çmim, me çdo kusht, me aftësinë e dijen më të mirë time. Dhe këtë rrugë nuk e kam bërë vetëm, e kam bërë bashkë me ju. E kam bërë edhe me disa prej atyre që sot e kanë kërkuar këtë Kuvend. Kemi punuar bashkë, kemi besuar te njëri-tjetri dhe kemi mbajtur së bashku përgjegjësinë për Lidhjen Demokratike. Sot mund të kemi dallime të thella, por ato nuk mund të fshijnë rrugën që kemi bërë së bashku. Nuk mund dhe nuk duhet të na bëjnë të huaj. Pikërisht për këtë kjo ditë nuk është e lehtë për mua. Jo për shkak të karriges, karriget merren, mbahen dhe një ditë lihen, por sepse është e rëndë të qëndrosh përballë njerëzve me të cilët ke ecur gjatë dhe të kuptosh se sot nuk na ka mbledhur ajo që duhet të ndërtojmë bashkërisht, por kërkesa për ta rrëzuar njërin prej nesh”, tha ai.

Abdixhiku ka thënë se pakënaqësitë brenda partisë janë të natyrshme, por sipas tij, ndryshimet duhet të bëhen përmes proceseve të rregullta zgjedhore brenda LDK-së.

“Për pakënaqësi me rezultatin, me performancën, me rrugëtimin ka secili. Të drejtën për të pretenduar vendin e parë në vetëm 2-3 muaj kohë ka secili. Edhe ata që na vendosën në rekordet më të ulëta historike, edhe ata që na vendosën për herë të parë në vendin e tretë, nga i cili vend na duhen vite kohë për të dalë. Dhe ja prapë ku jemi sërish. Edhe ata që në zgjedhje vëzhgojnë e pas zgjedhjeve zgjohen. Të drejtën për pakënaqësi ka secili. Por kjo e drejtë do të duhej të vendosej në zgjedhje të rregullta partiake që na vijnë vetëm pak muaj nga sot. Këto zgjedhje nga poshtë-lart, si fundament i demokracisë sonë të brendshme, do të hapnin garën në të gjitha nivelet partiake”, tha ai.

Ai ka vlerësuar se Kuvendi i Jashtëzakonshëm është thirrur në një kohë jo të përshtatshme, kur vendi po përballet me sfida institucionale.

“Në atë garë, pa nevojë për shkarkim, do të zgjidhnim. Do të bashkoheshim të gjithë, pa pasur nevojë për përjashtim e ndarje të tjetrit. E konsideroj po ashtu shumë të gabuar këtë Kuvend në kohën kur është thirrur, pikërisht në periudhën kur Republika e Kosovës po përballet me një prej krizave më të rënda institucionale të dekadave të fundit. Zgjedhjeve të përsëritshme, zgjedhjeve nacionale të reja që na rrijnë mbi qafë sërish. Kur vendi pret përgjegjësi nga secila forcë politike, sidomos nga LDK-ja, kur qytetarët presin zgjidhje nga ne, gjëja e fundit që do të duhej të bënim ishte të merreshim me vetveten. Dalim keq para popullit tonë, dalim jo seriozë para votuesve tanë”, u shpreh Abdixhiku.

Kryetari i LDK-së ka kritikuar kërkesën për shkarkim, duke e cilësuar atë si një veprim që, sipas tij, e dëmton partinë para proceseve të ardhshme zgjedhore.

“Mbi të gjitha, ideja e shkarkimit të proceseve të brendshme në LDK në mënyrë të njëanshme, kur në qafë kemi hijen e zgjedhjeve të reja, është papërgjegjësi e madhe politike dhe të dërgosh këtë formë në zgjedhje të reja LDK-në është dëmtim me paramendim. Tani çështja që dua të kuptoj vërtet është se cili është ai zell që do ta dërgojë vendin sërish në zgjedhje e në to të futet me LDK në proces të brendshëm zgjedhor? Cili është ai zell që me mburrje mban përjashtimin e rrëzimin si vlerë? A ju duket se jemi shumë për të larguar e për të shkarkuar? A është kjo trashëgimia politike e Ibrahim Rugovës dhe pasardhësve politikë të tij? Si LDK në këtë kohë kemi pasur detyrim të jemi të përqendruar në stabilitetin institucional, në mbrojtjen e interesit shtetëror dhe të ndërtimit të alternativës sonë politike para popullit tonë”, tha ai.

Abdixhiku ka thënë se fokusi i LDK-së duhet të jetë te stabiliteti institucional dhe ndërtimi i alternativës politike, duke shprehur keqardhje për përplasjet e brendshme.

“Vetëm këtu dhe askund tjetër do të duhej të ishte fokusi ynë si Lidhje Demokratike e Kosovës. Këtë fokus fatkeqësisht nuk e patëm. Bëmë veten sërish temë, sikur mos pajtoheshim me verdiktin e 31 janarit, që ishte verdikt me gjatësi demokratike. Sikur inatet e brendshme, karrierat individuale që janë shumë më të rëndësishme sesa fati i përbashkët i një anëtarësie të tërë. LDK nuk i ka pasur, nuk i ka borxh askujt një faturë të tillë”, theksoi tutje Abdixhiku.

Ai u ka thënë delegatëve se çdo vendim i marrë ka qenë në interes të partisë.

“Mund t’ju kem bërë krenarë dhe mund t’ju kem lënduar, por një gjë mund t’ua them me ndërgjegje të plotë: asnjë veprim, asnjë vendim nuk e kam marrë duke menduar për veten time, por për LDK-në. Këtë rrugë nuk e kam bërë vetëm, e kam bërë bashkë me ju”, ka deklaruar Abdixhiku. 

Të ngjashme