Imri Ahmeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ndër të parët që kërkoi shkarkimin e Lumir Abdixhikut nga pozita e kryetarit të kësaj partie, është parë duke reaguar derisa ky mbante fjalim para delegatëve të këtij subjekti politik.
Fjalimi i Abdixhikut ishte kryesisht i mbushur me kritika e akuza ndaj atyre që e kritikuan dhe kërkuan largimin e tij nga udhëheqja e partisë.
Ahmeti është kapur nga kamera e Nacionales duke tundur kokën, derisa Abdixhiku kritikonte disa nga zyrtarët e kësaj partie.
“Cili është ai zell që do ta dërgojë vendin sërish në zgjedhje, e në to të futet LDK me proces të brendshëm zgjedhor, a ju duket se jeni shumë për të larguar dhe shkarkuar, a është kjo trashëgimia politike e Rugovës dhe pasardhësve të tij.
Kur në fushatë refuzohet pjesëmarrja në betejën e partisë, e pas saj kërkohet përgjegjësi, ndjej vetëm keqardhje, dhe nuk mund t’i jap përgjegjësi dikujt që refuzon pjesëmarrjen në organet e partisë, teksa fërkon duart për një rezultat të keq, për të nisur sërish refrenin e njëjtë, përgjegjësi i jap vetëm atij delegati që ishte në terren secilën ditë, mbajti barrën e fushatës mbi supe dhe nuk u dorëzua kurrë. Atyre dhe vetëm atyre ua kemi borxh LDK-së, po ashtu jam thellësisht i zhgënjyer me gjuhën publike të zhvilluar nga disa gjatë javëve të fundit, i thonë kulturë institucionale, diçka me të cilën jemi mburrur gjithnjë. Gjuha e urrejtjes, nxitja, e shpifja kundër partisë sonë, nga vetë njerëzit e LDK-së, nuk ka qenë kulturë e as shkollë e mendësisë rugoviane. Nuk akuzohet kryetari i partisë se po ndan pozita ministrore për 355 delegatë, sinqerisht, sa i thellë duhet të jetë mllefi për të shpërfytyruar një raport me dikë që ke ndarë beteja e sfida. Sa larg duhet të ketë shkuar hidhërimi, e dëshpërimi që të shpifësh pa kufi, pa fakt, pa ndjenjë përgjegjësie”, ka thënë ai.