UEFA po e shqyrton bojkotimin e Botërorit për klube 2029

Prishtinë | 04 Gus 2026 | 12:27 | Nga Ekonomia Online

Tensionet mes UEFA-s dhe FIFA-s vazhdojnë të rriten.

Shtëpia e Futbollit Evropian po e shqyrton mundësinë e bojkotimit të Kupës së Botës për Klube të vitit 2029, ndërsa presidenti i saj Aleksander Çeferin po kërkon mbështetje për një përballje të re me Gianni Infantinon.

Sipas raportimeve të fundit, problemi kryesor lidhet me mënyrën se si FIFA po e menaxhon projektin e Botërorit për Klube dhe me mungesën e një marrëveshjeje me klubet evropiane, përcjell “Gazeta Express”.

Kompeticioni i vitit 2029 ende nuk e ka një vend të konfirmuar, financim të qartë dhe marrëveshje të plotë me përfaqësuesit e klubeve.

Çeferin po kërkon ta krijojë një front të përbashkët kundër Infantinos dhe raportohet se ka nisur bisedime me aleatë të rëndësishëm, përfshirë Nasser Al-Khelaifin dhe organizatat që i përfaqësojnë klubet evropiane.

Qëllimi është të rritet presioni ndaj FIFA-s dhe të kundërshtohen disa nga projektet e presidentit aktual të organizatës botërore.

Botërori i Klubeve 2029 është kthyer në një nga pikat kryesore të përplasjes.

UEFA dhe klubet evropiane kanë shprehur shqetësime për kalendarin e ngjeshur, ndikimin ekonomik dhe mënyrën e organizimit të turneut.

Kjo përplasje vjen në një periudhë kur marrëdhëniet mes UEFA-s dhe FIFA-s janë tensionuar edhe për shkak të planeve të tjera ekonomike të Infantinos.

UEFA ka paralajmëruar se mund të marrë masa të forta nëse FIFA vazhdon me disa iniciativa pa dakordësi me konfederatat dhe federatat kombëtare.

Për momentin nuk ka një vendim përfundimtar për bojkot, por ideja po diskutohet seriozisht dhe mund të shndërrohet në një tjetër betejë të madhe për kontrollin e futbollit botëror. /Gazeta Express

Të ngjashme