Me rastin e Javës së Ushqyerjes me Qumësht Gjiri, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, vizitoi sot Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, ku u njoh nga afër me angazhimin e stafit shëndetësor në promovimin dhe mbështetjen e ushqyerjes me qumësht gjiri.
Në vizitë, ministri në detyrë Vitia u shoqërua nga drejtoresha e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Dr. Ardita Baraku, si dhe shefja e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Veronika Vashenko. Aktiviteti u zhvillua në kuadër të shënimit të Javës së Ushqyerjes me Qumësht Gjiri, e cila organizohet me mbështetjen e UNICEF-it në Kosovë, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.
Gjatë vizitës, ministri në detyrë Vitia theksoi rëndësinë e ushqyerjes me qumësht gjiri si ushqimi më i mirë për foshnjat, duke nënvizuar se mbështetja për nënat është përgjegjësi e përbashkët e institucioneve, profesionistëve shëndetësorë, familjeve dhe komunitetit.
Duke iu referuar motos së sivjetme, “Të ushqyerit me qumësht gjiri për një fillim të qëndrueshëm: Fuqizojmë atë që funksionon”, ai vlerësoi punën e profesionistëve shëndetësorë dhe ritheksoi përkushtimin e Ministrisë së Shëndetësisë për fuqizimin e politikave dhe shërbimeve që mbështesin nënat dhe foshnjat.
Ministria e Shëndetësisë thekson se do të vazhdojë të mbështesë politikat dhe programet që inkurajojnë ushqyerjen me qumësht gjiri, duke e konsideruar atë një nga masat më efektive për përmirësimin e shëndetit të fëmijëve dhe nënave.