Nëse partitë nuk arrijnë me gjetë marrëveshje, fatkeqësisht duhet një ndërmjetësues

Prishtinë | 05 Gus 2026 | 10:47 | Nga Shenoll Muharremi

Ky takim dhe bisedat e djeshme nuk ishin aspak shpresëdhënëse për gjetjen e një zgjidhjeje për Presidentin.

Të dyja palët, LVV dhe LDK, kishin pritje e qëndrime goxha të ndryshme. LVV thoshte “Presidenti duhet të jetë apolitik, apartiak dhe konsensual…”.

E LDK thoshte “Nuk e duam ne kryetarin e Kuvendit, dëshirojmë të përfaqësohemi edhe në Presidencë.” Kjo i bie që ata e synojnë Presidencën.

Më herët arsyetimi i tyre për biseda e takimin ishte “po duam me i japë vendit institucione”… por kur shkuan aty dje, mendjen e kishin te postet dhe pozitat.

Sidoqofte, me kaq shume pasiguri dhe qendrime asimetrike, kjo është një situatë ku LVV-LDK nuk ofron zgjidhje.

Duhet më shumë thellësi e gjërësi elektorale.. e këtu duhet të përfshihen edhe Aleanca e PDK. Duhet një format shumë-partiak.

Tash, me siguri LVV e konstituon Kuvendin, shumë mirë.

Pastaj edhe qeverinë e formon, pse jo… i ka votat.

E ndërkohë, kemi ende pak kohë për të gjetur një zgjidhje për Presidentin.

Normalisht, metoda dhe qasja duhet të ndryshojnë, pas deshtimit aktual.

Nuk duhet të ketë takime të formatit 1+1, por duhet të takohen bashkë të gjithë liderët e partive dhe t’i specifikojnë kriteret për një person që është konsensual dhe i përfaqëson të gjithë.

Nëse këtë nuk arrijnë ta bëjnë brenda 10 ditëve, e kemi edhe një opsion të fundit.

Në vjen keq e vështirë me e shkruajt, por në atë rast, pas gjithë këtyre dështimeve, nevojitet një ndërmjetësues nga jashtë për me i ulë në tavolinë dhe për me e gjetë një President që i merr votat e të gjithëve.

Të ngjashme