PDK-ja dhe Aleanca duhet ta marrin seriozisht organizimin e protestave në sheshin e Prishtinës.
Po vijmë në një moment kur themelet e shtetit po shemben para syve të secilit prej nesh, por edhe para syve të deputetëve të opozitës, e cila për kaq vite ka zgjedhur të bëjë një opozitë aq konstruktive, sa do ta kishte lakmi edhe Suedia e Norvegjia.
Kurti i ka dy skenarë: ose shkon në zgjedhje më 27 dhjetor, ose pas 4 tetorit duhet të bëhemi gati për Republikën e Tretë.
Nëse për opozitën Republika e Hashim Thaçit, republika ku u shpall pavarësia e Kosovës, tashmë duket e dalë nga moda, atëherë mjaftojnë edhe reagimet e zakonshme. Por nëse synimi është mbrojtja e asaj Republike, atëherë duhet kuptuar se me deklarata nuk ndalet Republika e Albin Kurtit, pra Republika e Tretë.
Deklaratat e sotme, sado të ashpra që vijnë nga opozita, janë të vonshme. Kështu është dashur të niste opozitëbërja që në momentin kur kishim sinjalet e para se kah po shkonte ky shtet. Sot jemi vonë. Me këtë mënyrë të qeverisjes, deklaratat politike nuk e kanë më të njëjtën peshë, sepse problemi është bërë shumë më i madh. Kuvendi dhe komisionet parlamentare nuk na kryejnë më punë. Beteja duhet të bartet në rrugë, aty ku qytetarët mund ta mbrojnë shtetin me zërin e tyre.
Nëse dikush e ka mision shkatërrimin e vendit, atëherë opozita duhet ta ketë mision mbrojtjen e tij. Derisa Kurti deri tash i ka shtyrë përpara te gjitha agjendat e veta, ne te tjeret kemi dështuar ta mbrojmë vendin.