Organi më i lartë i futbollit botëror, FIFA, ka përditësuar listën e klubeve që e kanë merkaton e bllokuar për shkak të borxheve ndaj ish-futbollistëve apo ish-zyrtarëve që kanë pasur të punësuar.
Bie në sy se ditët e fundit FIFA ka shtuar edhe dy klube të tjera shqiptare në listën “e borxhlinjve”. Bëhet fjalë për Dinamon dhe Kukësin.
Më 5 gusht Kukësi ka mësuar se e ka merkaton të bllokuar për tre dritaret e ardhshme të transferimit dhe nëse nuk shlyen palën që ka fituar gjyqin në FIFA kundër tyre, nuk do të mundet të regjistrojë elementë të rinj në ekip.
Më 6 gusht edhe Dinamo është prekur nga borxhet për shkak të gjyqit të humbur me ish-të punësuarit. Klubi “blu” do duhet të derdhë shumën e duhur në llogarinë e të dëmtuarit nëse dëshiron të regjistrojë elementë të rinj këtë dritare transferimesh. Edhe Dinamo ka një penalitet me bllokimin e tre dritareve të transferimit në hyrje.
Dinamo luan në Evropë dhe vëmendja është e gjitha në ndeshjen e kthimit kundër Audas në Elbasan, teksa sfida e parë përfundoi 1-0 për letonezët.
Veç klubeve të sipërpërmendura, në ‘listën e zezë’ të FIFA-s me merkaton e bllokuar janë edhe: Valbona, Tirana, Bylis, Skënderbeu, Kastrioti dhe Flamurtari.
Zgjidhja – Mjafton që klubet që u kanë borxh ish-zyrtarëve apo ish-futbollistëve të derdhin shumën e prapambetur në llogarinë e të dëmtuarve dhe më pas FIFA ka për detyrë zhbllokimin e merkatos dhe regjistrimin e futbollistëve të rinj.