Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka vizituar gërmimet që po zhvillohen në Kalludër të Zubin Potokut, në kuadër të përpjekjeve për gjetjen e mbetjeve mortore të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Peci, përmes një postimi, ka theksuar dhimbjen e familjeve që prej gati tri dekadash presin të zbardhet fati i më të dashurve të tyre.
“Kosova ende i ka varret e hapura e plagën që kullon, e Serbia gjenocidale as kërkim falje nuk kërkon”, ka shkruar Peci.
Ai ka kujtuar veçanërisht vuajtjet e Mitrovicës, duke thënë se kjo pjesë e Kosovës e ka paguar një çmim të lartë për lirinë.
“Për një çerek shekulli, Mitrovica më së shtrenjti e pagoi çmimin e lirisë. Nga antikiteti jemi në veri, aty ku varrezat shqiptare dëshmojnë praninë dhe historinë tonë në këto troje. Ka kaluar kaq shumë kohë për t’u adresuar çdo plagë e jona. Të vërtetën nuk e fsheh asgjë, gjaku nuk humbet, e as dheu nuk lejon mbulimin e krimit.
Për afër 3 dekada vuajtje, pritje, dhimbje e kërkim, për familjarët e të pagjeturve që jetuan me pikëllimin dhe shpresën se një ditë do të mund të vendosin lule mbi varrezat e më të dashurve të tyre”, ka shkruar Peci.