Interi e përmirëson ofertën për Diabyn, ka konkurrencën e Leverkusenit

Prishtinë | 09 Gus 2026 | 20:29 | Nga Ekonomia Online

Interi pritet të bëjë një ofertë të përmirësuar për Al-Ittihad për Moussa Diaby, raporton “Sky Sport Italia”.

Oferta e re pritet të jetë mbi 20 milionë euro plus Kristjan Asllani, pasi francezi po heziton për transferimin te Bayer Leverkusen.

Sulmuesi i krahut të djathtë shihet si pasuesi ideal i Denzel Dumfries, i cili këtë verë u transferua te Real Madridi për shumën e klauzolës së tij të lirimit.

27-vjeçari francez iu bashkua Al-Ittihad vetëm në vitin 2024, ndërsa së fundmi është raportuar se Bayer Leverkusen është pranë marrëveshjes me klubin saudit për një shumë nën 30 milionë euro.

Megjithatë, “Sky Sport Italia” raporton se Diaby po heziton për rikthimin në Gjermani, pasi ideja për t’u transferuar te Interi dhe për të nisur një aventurë të re e tërheq më shumë.

Problemi për zikaltërit është të bindin Al-Ittihadin, ndërsa njëkohësisht duhet të përballojnë edhe pagën e lojtarit prej 6 milionë eurosh në sezon.

Diaby është i gatshëm të pranojë një ulje page në mënyrë që të rikthehet në futbollin evropian.

Oferta fillestare e Interit, prej 20 milionë eurosh plus reprezentuesin e Shqipërisë, Kristjan Asllani, është refuzuar, por raportohet se klubi italian po përgatit një propozim të ri dhe më të lartë brenda orëve të ardhshme.

Futbolli italian nuk është krejtësisht i panjohur për Diabyn, pasi ai pati një periudhë të shkurtër te Crotone në vitin 2018.

Të ngjashme