Asnjëri prej pesë golashënuesve më të mirë aktiv të historisë së futbollit s’luan në Evropë!

Prishtinë | 10 Gus 2026 | 14:56 | Nga Ekonomia Online

Evropa vazhdon të jetë shtëpia e futbollit më konkurrues në botë, por paradoksalisht, asnjë prej pesë golashënuesve më të mirë aktivë në historinë e futbollit nuk luan në një ligë evropiane.

Shumica e futbollistëve më të mëdhenj vazhdojnë të luajnë në ligat evropiane, të cilat mbeten më të ndjekurat në botë.

Megjithatë, vitet e fundit gjithnjë e më shumë legjenda të futbollit kanë zgjedhur ta mbyllin karrierën e tyre larg Evropës.

Dhe statistikat e fundit janë dëshmia më e qartë e këtij fenomeni, shkruan “Goal”, përcjell “Gazeta Express”.

Ronaldo e kryeson listën

Cristiano Ronaldo mbetet golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në ndeshjet zyrtare, pasi e ka kaluar Josef Bican.

Superylli portugez tashmë është në ndjekje të shifrës së jashtëzakonshme prej 1000 golash.

Ai i ka arritur në 976 gola, ndërsa prej janarit të vitit 2022 luan në Arabinë Saudite me Al-Nassr.

Ronaldo është shembulli më i madh i një ylli që ka zgjedhur ta vazhdojë karrierën jashtë Evropës, duke e kthyer edhe ligën saudite në një destinacion për emrat më të mëdhenj të futbollit botëror.

Messi gjithashtu jashtë Evropës

Në vendin e dytë të listës së golashënuesve të të gjitha kohërave ndodhet Lionel Messi.

Argjentinasi i ka realizuar 921 gola, me dy golat e tij të fundit të shënuar ndaj Atletico San Luis në Leagues Cup.

Fituesi i tetëfishtë i Topit të Artë nuk luan më në Evropë. Messi iu bashkua Inter Miamit në vitin 2023 dhe e vazhdon karrierën në Major League Soccer.

Kështu, dy rivalët më të mëdhenj të gjeneratës së fundit, Ronaldo dhe Messi, tani luajnë në dy kontinente të ndryshme, larg futbollit elitar evropian.

Edhe Lewandowski u largua nga Barcelona

Në vendin e tretë mes golashënuesve aktivë ndodhet Robert Lewandowski, me 721 gola.

Sulmuesi polak e ka lënë Barcelonën dhe tashmë ka nisur të shënojë edhe për ekipin e tij të ri, Chicago Fire, në MLS.

Pra, edhe njëri tjetër prej golashënuesve më produktivë të futbollit modern ka zgjedhur ta vazhdojë karrierën jashtë Evropës.

Suarez dhe Benzema e plotësojnë pesëshen

Luis Suarez, bashkëlojtar i Messit te Inter Miami, ndodhet gjithashtu në mesin e golashënuesve më të mirë aktivë.

Uruguaiani i ka realizuar 610 gola gjatë një karriere që tashmë zgjat më shumë se dy dekada.

Pesëshen e parë e plotëson Karim Benzema. Francezi ka luajtur në Arabinë Saudite që nga vera e vitit 2023 dhe aktualisht është pjesë e Al-Hilal.

Benzema i ka shënuar 523 gola në 993 ndeshje.

Kane, i vetmi që e mban Evropën në listë

Pas Benzemas vjen Harry Kane, vetëm një gol larg francezit.

Sulmuesi anglez është i vetmi futbollist në këtë listë që vazhdon të luajë në Evropë, te Bayern Munich.

Kjo statistikë e tregon më qartë se kurrë ndryshimin e hartës së futbollit botëror.

Dikur ligat evropiane i grumbullonin pothuajse të gjithë yjet dhe golashënuesit më të mëdhenj, ndërsa sot Arabia Saudite dhe Amerika po bëhen destinacione të rëndësishme për legjendat e futbollit.

Ronaldo, Messi, Benzema, Suarez dhe tani edhe Lewandowski janë shembujt më të mëdhenj të këtij fenomeni të paprecedentë.

Të ngjashme