Ministria e Mbrojtjes ka ndarë 178 mijë e 535 euro për ndërtimin e rrjetit të ndriçimit në kazermën e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Devë të Gjakovës.
Sipas njoftimit për dhënie të kontratës, aktiviteti i prokurimit është zhvilluar për realizimin e punëve në kuadër të nevojave të FSK-së, me qëllim të rritjes së operacionalitetit dhe efikasitetit në kryerjen e detyrave.
Kontrata, me numër 217-26-3382-5-2-1/C595, i është dhënë operatorit ekonomik SMART ElektroTech, me bazë në Prishtinë.
Vlera e kontratës është 178,535.10 euro, ndërsa data e dhënies së saj është 31 korrik 2026. Nënshkrimi i kontratës ishte planifikuar për 10 gusht 2026.
Në garën për këtë kontratë kishin marrë pjesë gjithsej katër operatorë ekonomikë. SMART ElektroTech kishte paraqitur ofertën më të ulët të përgjegjshme, me 178,535.10 euro.
Oferta e dytë ishte ajo e Decon SH.P.K., në vlerë prej 220,962.97 euro, ndërsa grupi i operatorëve Archi Time Group SH.P.K.; EKO GROUP ENERGY SH.P.K.; AXIOM ENGINEERING SH.P.K. kishte ofertuar 288,316 euro.
Oferta më e lartë ishte ajo e Elektrostublla SH.P.K., në vlerë prej 417,606 euro.
Kontrata është dhënë përmes procedurës së hapur, ndërsa kriteri i përzgjedhjes ka qenë çmimi më i ulët. Dokumenti po ashtu specifikon se kontrata nuk parashihet të nënkontraktohet.