Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, mirëpriti sot senatoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joni Ernst, së bashku me delegacionin e Gardës Kombëtare të Iowa-s, të kryesuar nga gjeneral Stephen Osborn.
Gjatë takimit u diskutua për partneritetin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Në shenjë mirënjohjeje për angazhimin dhe kontributin e vazhdueshëm të senatores Ernst në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, si dhe për mbështetjen e saj ndaj Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, ministri Maqedonci nderoi senatoren Joni Ernst me Medaljen për Shërbim të Shquar.
Partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe bashkëpunimi me Gardën Kombëtare të Iowa-s mbeten ndër shtyllat kryesore të zhvillimit dhe fuqizimit të kapaciteteve mbrojtëse, thuhet në njoftim.
Ministri Maqedonci theksoi se Republika e Kosovës i çmon miqtë dhe partnerët që kanë qëndruar pranë saj dhe kanë dhënë kontribut të rëndësishëm për forcimin e shtetit dhe të sigurisë së vendit. Miqësia dhe partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten të pazëvendësueshme për Kosovën.