Gazetari turk arrestohet pas raportimit se Galatasaray kishte siguruar Jamal Musialan

Prishtinë | 11 Gus 2026 | 20:27 | Nga Ekonomia Online

Një raportim për një transferim të mundshëm të yllit gjerman Jamal Musiala te Galatasaray ka marrë një kthesë të papritur në Turqi.

Gazetari sportiv turk Burhan Can Terzi është ndaluar nga autoritetet në Stamboll, pas një hetimi të nisur lidhur me pretendimet e tij se Galatasaray kishte arritur marrëveshje për transferimin e Musialas nga Bayern Munich.

Sipas gazetës spanjolle “Marca”, Terzi u mor në pyetje të martën në kuadër të një hetimi të Prokurorisë së Bakırköyt, nën dyshimin për “përhapje publike të informacionit mashtrues”.

Gazetari kishte insistuar vazhdimisht se informacioni i publikuar prej tij ishte i saktë. Ai kishte raportuar se Galatasaray e kishte mbyllur marrëveshjen për Musialan, por klubi turk e kishte mohuar zyrtarisht një gjë të tillë.

Pavarësisht reagimit të Galatasarayt, Terzi nuk e tërhoqi raportimin. Ai deklaroi se kishte marrë informacione nga disa burime që tregonin se Musiala mund të transferohej te gjiganti turk.

Të ngjashme