Shtetet e Bashkuara dhe Polonia po zhvillojnë diskutime për mundësinë e prodhimit të përbashkët të pajisjeve ushtarake në territorin polak, ka bërë të ditur ambasadori amerikan në Varshavë, Tom Rose.
“Po punojmë fort së bashku me ‘ministrin Rambo’”, ka thënë Rose, duke iu referuar zëvendësministrit polak të Mbrojtjes, Cezary Tomczyk, “për të siguruar mundësinë e prodhimit të përbashkët të pajisjeve ushtarake këtu në Poloni”.
Deklaratat e ambasadorit amerikan u bënë gjatë një konference për media me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes për krijimin e një qendre mirëmbajtjeje dhe shërbimi për helikopterët sulmues AH-64 Apache në Lodz.
Bisedimet zhvillohen në një kohë kur Polonia po synon të zgjerojë kapacitetet e industrisë së saj të mbrojtjes dhe të forcojë më tej bashkëpunimin ushtarak me SHBA-në.
Në fillim të korrikut, grupi shtetëror polak i mbrojtjes Polska Grupa Zbrojeniowa (PGZ), Uzina Ushtarake e Aviacionit Nr. 2 në Bydgoszcz dhe kompania amerikane Anduril Industries nënshkruan një marrëveshje për prodhimin në Poloni të municionit manovrues Barracuda-500.
Varshava ka propozuar gjithashtu që në territorin polak të prodhohen raketa për sistemin amerikan të mbrojtjes ajrore Patriot.
Realizimi i këtij projekti do të varet nga vendimi i Uashingtonit për transferimin e licencës së nevojshme të prodhimit në Poloni.