The Weeknd ka hequr dorë nga ideja për të lënë pas emrin artistik me të cilin është bërë i famshëm në mbarë botën. Këngëtari kanadez, emri i vërtetë i të cilit është Abel Tesfaye, kishte lënë më herët të hapur mundësinë që të vazhdonte karrierën me emrin e tij, por tashmë duket se ka ndryshuar mendje, bën të ditur Entertainment Weekly.
Gjatë koncertit të tij në Stokholm, më 8 gusht, në kuadër të turneut “After Hours Til Dawn”, 36-vjeçari foli për këtë vendim para fansave.
“Provova pak të përfundoja rrugëtimin tim si The Weeknd dhe nuk më pëlqen mënyra se si ndihem”, tha ai, sipas një videoje të publikuar nga një fans. Më pas shtoi: “Do të jem gjithmonë këtu me ju”.
Deklarata e fundit vjen disa vite pasi këngëtari kishte nisur të mendonte publikisht për një ndryshim të rëndësishëm në karrierë. Në vitin 2022, gjatë një bisede online me fansat, The Weeknd kishte thënë se po mendonte të ndryshonte emrin artistik në “Abel”, duke marrë si shembull Kanye West, i cili kishte ndryshuar emrin e tij në Ye.
“Ndihem sikur në këtë pikë duhet ta ndryshoj emrin tim artistik në ABEL”, ishte shprehur ai në atë kohë. Madje, këngëtari kishte lënë të kuptohej se mund ta ndryshonte ligjërisht emrin, duke e mbajtur vetëm “Abel”, pa mbiemër, siç kanë bërë artistë të njohur si Madonna, Cher dhe Prince.
Në maj të vitit 2023, The Weeknd e kishte çuar edhe më tej këtë ide, duke deklaruar se albumi i ardhshëm mund të ishte i fundit i tij si The Weeknd.
“Albumi me të cilin po punoj tani është ndoshta dalja ime e fundit e madhe si The Weeknd”, kishte thënë ai për W Magazine.
Megjithatë, duket se artisti nuk është ende gati t’i japë fund epokës së The Weeknd. Për momentin, ai do të vazhdojë të performojë dhe të krijojë muzikë me emrin që e shndërroi në një prej yjeve më të mëdhenj të muzikës në botë.