Real Madridi e ka prezantuar sot edhe zyrtarisht fanellën e tretë të klubit, në prag të fillimit të sezonit të ri 2026/27.
“Los Blancos” do ta nisin sezonin e tyre të shtunën, më 22 gusht, kur do të përballen me Espanyolin në ndeshjen e parë të kampionatit spanjoll.
Fanella e re vjen në një ngjyrë rozë të ndezur, me detaje të bardha në jakën në formë V-je, mëngë, tri vijat karakteristike të Adidasit, logon e prodhuesit dhe stemën e Real Madridit.
Dizajni plotësohet nga modele gjeometrike të frymëzuara nga punimet artizanale të Amerikës Latine, sipas rrjetit “Foot Mercato”, përcjell “Gazeta Express”.
Përmes kësaj fanelle, Real Madridi synon ta theksojë lidhjen që i bashkon tifozët e tij në të gjithë botën, si dhe pasionin për klubin që i kapërcen kufijtë dhe kulturat.
Fanella e përmban gjithashtu teknologjinë “Climacool” të Adidasit, e cila është krijuar për ta larguar lagështinë nga trupi, ndërsa materialet e lehta me teknologji tredimensionale synojnë të ofrojnë një përshtatje më të mirë.
Fanella e re do të jetë një tjetër element i koleksionit të Real Madridit për sezonin 2026/27, duke e sjellë një pamje të veçantë dhe më të guximshme për “Los Blancos”.