ATK përzgjedh 39 kandidatë për inspektorë dhe zyrtarë për mbledhjen e borxheve

Prishtinë | 14 Gus 2026 | 15:43 | Nga Ekonomia Online

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka përfunduar procesin e vlerësimit të kandidatëve në kuadër të konkursit për pozitat Inspektor i Nivelit Fillestar dhe Zyrtar për Mbledhjen e Borxheve.

Pas përfundimit të të gjitha fazave të vlerësimit, në përputhje me kriteret dhe procedurat e përcaktuara në konkurs, ATK ka përzgjedhur gjithsej 39 kandidatë për këto dy pozita.

Sipas ATK-së, procesi i vlerësimit është monitoruar nga një komision i jashtëm, me qëllim garantimin e objektivitetit, transparencës dhe paanshmërisë, si dhe evitimin e çdo mundësie për subjektivizëm apo ndikim të brendshëm institucional.

Listat me emrat e kandidatëve të përzgjedhur janë publikuar në ueb-faqen zyrtare të Administratës Tatimore të Kosovës, në rubrikën e punësimit.

ATK ka theksuar se përzgjedhja është bazuar në parimet e meritës, transparencës, profesionalizmit dhe trajtimit të barabartë të kandidatëve, duke marrë për bazë rezultatet e arritura dhe përmbushjen e kritereve të konkursit.

Kandidatët që janë të pakënaqur me rezultatin përfundimtar kanë të drejtë ankese në Komisionin e Ankesave në kuadër të ATK-së, brenda tetë ditësh nga dita e publikimit të rezultateve përfundimtare, në përputhje me nenin 30, paragrafi 1 të Rregullores (MF) Nr. 01/2026.

ATK ka bërë të ditur se të gjitha ankesat e pranuara brenda afatit do të shqyrtohen në përputhje me procedurat përkatëse.

Administrata Tatimore e Kosovës ka falënderuar të gjithë kandidatët për pjesëmarrjen dhe interesimin, ndërsa kandidatëve të përzgjedhur u ka uruar sukses në vazhdimin e procedurave të rekrutimit.

Të ngjashme