Instituti Kosovar për Drejtësi (IKD) ka vazhduar me mbledhjen e nënshkrimeve për peticionin që synon ndryshimin e Kodit Penal të Kosovës, me qëllim që përdorimi i parasë publike gjatë periudhës së fushatës dhe parafushatës zgjedhore të përcaktohet si vepër penale, raporotn Ekonomia Online.
Nismën e ka mbështetur edhe ish-kryeministri dhe deputeti I LDK-së, Avdullah Hoti, ndërsa IKD-ja u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen peticionit, i cili synon gjithashtu forcimin e zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Jakaj ka thënë se peticioni po shkon mirë dhe se është mbështetur nga dhjetëra organizata të shoqërisë civile, odat ekonomike, njerëz dhe akterë kryesorë në Republikën e Kosovës, në mesin e tyre edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës.
“Peticioni po shkon mirë, e kanë mbështetur me dhjetëra organizata të shoqërisë civile, të odave ekonomike, të njerëzve dhe mes akterëve kryesorë në Republikën e Kosovës, në mes të tyre edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës. Sot me ne nismën e ka përkrahur, sapo e ka përkrahur edhe ish-kryeministri, zotëri Hoti, deputeti i tanishëm i legjislaturës së11-të, të cilin e falënderojmë për këtë mbështetje”, ka thënë Jakaj.
Jakaj ka bërë të ditur se mbledhja e nënshkrimeve do të vazhdojë sot deri në orën 15:00, si dhe gjatë dy ditëve në vazhdim në Prishtinë dhe në qytete të tjera.
“Ne do të jemi sot deri në ora 3:00 dhe do të jemi dy ditë në vazhdim në Prishtinë edhe në qytete të tjera, ku i ftojmë qytetarët të bëhen pjesë e kësaj nisme”, ka thënë ai.
Ndërkaq, Avdullah Hoti e ka përgëzuar IKD-në për këtë nismë, duke thënë se ndryshimi legjislativ mund të jetë i domosdoshëm në frymën e zhvillimeve të dy viteve të fundit.
“Faleminderit! Unë dëshiroj që t’ju përgëzoj për këtë nismë. Po duket që në frymën e zhvillimeve të dy viteve të fundit ndoshta është e domosdoshme ky ndryshim legjislativ. Sjelljet e partive të caktuara politike kanë qenë jashtë standardeve me të cilat ne jemi mësuar dhe i kemi vendosë nga viti 2008 e këndej, që sa herë që ka pasur aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese ato janë zbatuar pa asnjë përjashtim, bile as nuk i kemi komentuar si aktgjykime të tilla”, ka thënë Hoti.
Hoti ka thënë se në dy vitet e fundit, e veçanërisht ditët e fundit, është dalë jashtë këtij standardi.
“Ndërkohë që në dy vitet e fundit dhe në veçanti tash ditët e fundit kemi dalë jashtë këtij standardi dhe është e domosdoshme që sipas ligjit t’i mbajmë përgjegjës personat që nuk i zbatojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, ka deklaruar Hoti.



