Bluzat me fjongo janë rikthyer fuqishëm: Trendi femëror që po dominon sezonin

Prishtinë | 18 Gus 2026 | 09:05 | Nga Ekonomia Online

Nga xhinset te kostumet elegante, ky model i viteve ’70 po vishet sot krejt ndryshe

Pas disa sezonesh kur qëndruan disi në prapavijë, tani po dalin sërish në plan të parë, këtë herë me një frymë më moderne dhe më të përshtatshme me mënyrën e sotme të veshjes.

Ky model ka një histori të gjatë në modë, por lidhet veçanërisht me estetikën e viteve ’70, kur bluzat e lehta prej mëndafshi dhe byrynxhyku përfaqësonin një feminitet elegant dhe plot vetëbesim. Versionet e sotme, megjithatë, largohen nga pamja krejtësisht retro dhe sjellin një interpretim më të lirshëm e bashkëkohor, që përshtatet lehtë edhe me veshjet e përditshme.

Në rikthimin e tyre kanë ndikuar edhe shtëpitë e mëdha të modës. Saint Laurent, në koleksionet vjeshtë/dimër 2023 dhe pranverë/verë 2024, prezantoi modele transparente e të lehta me fjongo, të kombinuara me veshje të prera dhe silueta minimaliste. Ndërsa Chloé, në koleksionin vjeshtë/dimër 2024, e theksoi më tej estetikën romantike boho, ku bluzat e këtij lloji u shndërruan në një prej elementeve kryesore.

Pikërisht ndërthurja e stileve të ndryshme e shpjegon edhe popullaritetin e tyre sot. Bluza me fjongo nuk është më e rezervuar vetëm për raste elegante ose për veshjen e zyrës – tani mund të vishet edhe në kombinime shumë më të çliruara.

Një nga mënyrat më të thjeshta për ta bërë të duket moderne është ta kombinoni me veshje që krijojnë kontrast. Një bluzë romantike prej mëndafshi ose byrynxhyku shkon shumë mirë me xhinse me prerje të drejtë, pantallona të gjera ose një xhaketë. Rezultati është femëror dhe bashkëkohor, pa e bërë pamjen tepër formale.

Të ngjashme