Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se ka udhëtuar drejt Tarantos, në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare 2030, të cilat do të organizohen në Prishtinë dhe Shqipëri.
Përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Rama tha se Lojërat Mesdhetare 2030 do ta vendosin Prishtinën, Kosovën dhe Shqipërinë në hartën e madhe të sportit mesdhetar.
“Historia po shkruhet. Prishtina 2030”, shkroi Rama, duke theksuar rëndësinë e vizitës në Taranto për të parë nga afër përvojën e organizimit të këtyre lojërave.
“Sot, rrugës për Taranto. Me pa nga afër, me mësu nga përvoja e tyre dhe me marrë më të mirën për atë që po ndërtojmë bashkë”, u shpreh ai.
Rama e përmbylli mesazhin me një frazë që i referohet synimit për vitin 2030: “Nga Taranto në Prishtinë. Next stop: 2030.”
Lojërat Mesdhetare pritet të jenë një nga ngjarjet më të rëndësishme sportive të zhvilluara në Kosovë, duke sjellë në Prishtinë sportistë dhe delegacione nga vendet e Mesdheut.