Referi i Ligue 1, Abdelatif Kherradji, është dënuar nga gjykata e Nimes me gjashtë muaj burgim me kusht për dhunë në familje ndaj partneres së tij.
Gjithashtu, 40-vjeçari do të duhet ta ndjekë një kurs parandalimi kundër dhunës ndaj grave, shkruajnë mediat franceze, përcjell “Gazeta Express”.
Vendimi i gjykatës është më i butë krahasuar me kërkesën e Prokurorisë, e cila kishte kërkuar 18 muaj burgim me kusht, detyrim për trajtim dhe ekzekutim të menjëhershëm të vendimit.
Dënimi, gjithashtu, nuk do të regjistrohet në dosjen penale të gjyqtarit.
Avokati i Kherradji, Bruno Rebstock, ka bërë të ditur se mund të ankohet ndaj këtij vendimi:
“Jemi të zhgënjyer nga vetë vendimi, sepse e kishim kërkuar pafajësinë. E rezervojmë të drejtën për të apeluar brenda dhjetë ditëve.”
Referi kishte përfunduar nën hetim për dy raste të dyshuara, të ndodhura më 13 mars dhe 13 maj.
Sipas akuzës, gjatë dy debateve, Kherradji dyshohet se e kishte kapur partneren për qafe, krahë dhe flokë, ndërsa në rastin e dytë dyshohet se e kishte tërhequr zvarrë dhe e kishte shtyrë drejt murit.
Gruaja kishte pësuar lëndime, për të cilat iu caktua një periudhë rikuperimi prej tri ditësh.
Kherradji i ka mohuar gjithmonë akuzat, duke deklaruar para hetuesve se bëhej fjalë për një përleshje të ndërsjellë.
Edhe vetë referi e kishte bërë një denoncim, duke e paraqitur një raport mjekësor për t’i dokumentuar plagët që i kishte pësuar.
Kherradji është refer i Ligue 1 prej dy sezonesh. Ai i ka drejtuar 28 ndeshje në elitën e futbollit francez dhe 90 ndeshje në Ligue 2.
Ndeshja e tij e fundit ishte më 12 prill, në takimin Nice – Le Havre.
Pas dënimit të dhënë nga gjykata, tani mbetet për t’u parë se çfarë masash do të marrë Federata Franceze e Futbollit (FFF) ndaj referit.