Presidenca: Procedura për emërimin e anëtarëve të KQZ-së ende nuk është përmbyllur

Prishtinë | 24 Gus 2026 | 15:03 | Nga Ekonomia Online

Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës ka njoftuar se procedura për emërimin e anëtarëve të rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ende nuk ka përfunduar.

Sipas Presidencës, pas pranimit të propozimeve me shkrim nga subjektet politike për anëtarët e KQZ-së, është kërkuar nga institucionet kompetente të sigurisë që të bëjnë verifikimin e kandidatëve të propozuar.

“Afati pesëditor nga pranimi i propozimeve ka përfunduar të premten, ndërsa procedura e emërimit ende nuk është përmbyllur për shkak se Zyra e Presidentes është në pritje të përgjigjeve nga institucionet kompetente lidhur me verifikimet e kërkuara”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidentes.

Presidenca ka bërë të ditur se pas pranimit të përgjigjeve nga institucionet e sigurisë do të vazhdojë me hapat e mëtejshëm për përmbylljen e procesit.

“Pas pranimit të këtyre përgjigjeve, Zyra e Presidentes do të ndërmarrë veprimet e mëtejme për përmbylljen e procedurës së emërimit të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme