Leão në pritje të transferimit, rikthehet në stërvitje te Milani

Prishtinë | 26 Gus 2026 | 14:14 | Nga Ekonomia Online

Rafael Leão në mëngjesin e sotëm është rikthyer të stërvitet së bashku me pjesën tjetër të grupit të vënë në dispozicion të trajnerit Ruben Amorim.

Stërvitja e fundit e rregullt e tij me Milanim datonte më 14 gusht, ndërsa në ditët në vijim e kishte ndjekur një program individual, në një periudhë ku nuk kanë munguar as zërat e largimit, përcjell “Gazeta Express”.

E ardhmja e lojtarit vazhdon të jetë e mbushur me pikëpyetje, më pak se një javë para përfundimit të afatit kalimtar të verës.

Për Milanin, portugezi vazhdon të jetë në listën e lojtarëve që mund të largohen, por vetëm nëse plotësohen disa kushte ekonomike.

Në terma konkretë, kuqezinjtë i kërkojnë të paktën 50 milionë euro si shumë fikse, ndërsa me bonuset shuma totale mund të arrijë në 60 milionë euro.

Deri tani, asnjë klub nuk ka qenë i gatshëm të shkojë deri në këtë shumë.

Në fillim të afatit kalimtar ishte interesuar Fenerbahçe, ndërsa më pas në garë hyri edhe Al-Hilal i Simone Inzaghit, por kjo mundësi nuk e ka bindur veçanërisht numrin 10 të Milanit.

Premierliga gjithashtu e ka sondazhuar situatën, me Aston Villan dhe Tottenhamin që kanë shfaqur interes, por pa bërë hapa konkretë.

Për këtë arsye, destinacioni më i mundshëm për momentin mbetet Galatasaray. Klubi turk duket i gatshëm t’i ofrojë deri në 40 milionë euro shumë fikse, një shifër që është më e ulët se kërkesa e Milanit.

Megjithatë, me afrimin e fundit të afatit kalimtar të verës, është e mundur që klubi kuqezi ta rishikojë të paktën pjesërisht qëndrimin e tij. 

Të ngjashme