Përleshje dhe gaz lotsjellës në Serbi, Demokratët Evropianë godasin Vuçiqin: Nuk është gati për zgjedhje të ndershme

Prishtinë | 30 Gus 2026 | 18:40 | Nga Ekonomia Online

Partia e Demokratëve Evropianë ka reaguar pas incidenteve dhe përleshjeve të regjistruara sot në Uzhicë të Serbisë, duke kritikuar ashpër mënyrën se si policia menaxhoi situatën gjatë protestave para tubimit të Partisë Përparimtare Serbe (SNS), ku mori pjesë edhe presidenti Aleksandar Vuçiq.

Në një reagim të publikuar në rrjetin social X, Demokratët Evropianë kanë thënë se policia përdori gaz lotsjellës për të larguar demonstruesit nga Sheshi Partizan, ndërsa, sipas tyre, nuk ndërhyri në mënyrë të mjaftueshme përballë asaj që e cilësuan si “dhunë të pashembullt”.

“Sot në Uzhicë, në Serbi, oficerët e policisë larguan demonstruesit nga Sheshi Partizan përpara tubimit të SNS-së ku mori pjesë Aleksandar Vuçiq, duke përdorur gaz lotsjellës, ndërsa ata mbetën pasivë përballë dhunës së pashembullt”, thuhet në reagimin e tyre.

Demokratët Evropianë kanë paralajmëruar se incidentet e tilla paraqesin një sinjal shqetësues për procesin politik në Serbi, në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare që, sipas tyre, pritet të mbahen në tetor.

“Dhuna dhe konfliktet janë fillimi më i keq i mundshëm i një fushate zgjedhore. Vuçiq tregon se nuk është i aftë – ose nuk është gati – të garantojë një proces zgjedhor të drejtë, të rregullt dhe demokratik”, thuhet në reagim.

Partia evropiane ka theksuar se Serbia meriton një proces zgjedhor të lirë dhe dinjitoz, duke e kritikuar situatën e krijuar në Uzhicë.

Ndërkohë, sot në Uzhicë u mbajt një tubim i SNS-së, në të cilin mori pjesë dhe mbajti fjalim presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

Gjatë zhvillimeve në qytet u raportuan përleshje fizike mes qytetarëve, policisë dhe mbështetësve të SNS-së.

Incidentet ndodhën në kuadër të tensioneve që shoqëruan tubimin e partisë në pushtet. /The Geo Post

Të ngjashme