Deputetë të PDK-së dhe Aleancës kanë vazhduar edhe sot aksionin para objektit të Qeverisë së Kosovës, ku këtë herë janë mbështetur edhe nga përfaqësues të institucioneve lokale, asamblistë dhe aktivistë politikë nga Skenderaj e Istogu. Të pranishmit janë mbledhur në orët e mëngjesit para objektit të Qeverisë, duke kërkuar nga mazhoranca që të marrë përgjegjësinë për funksionalizimin e institucioneve dhe vazhdimin e procesit të konstituimit të Kuvendit, raporton Ekonomia Online.
Fadil Nura nënkryetar i Skenderajt tha se janë aty për të mbështetur deputetët që, sipas tij, po mbrojnë rendin kushtetues dhe demokracinë në vend.
“Sot do të dëshmojmë, në të njëjtën kohë të mbështesim fuqishëm deputetët që sot janë të pranishëm këtu dhe që janë vënë në mbrojtje të rendit kushtetues, në mbrojtje të demokracisë, e cila po vazhdon të cenohet, dhe ne vlerësojmë si autoritete lokale në këtë rast që jemi pjesë integrale e sistemit kushtetues, se institucionet e Kosovës janë të themeluara mbi sakrificën dhe gjakun e bijve më të mirë, dhe kemi obligim përtej bindjeve politike të mbrojmë institucionet tona, t’i ndërtojmë ato. Prandaj shfrytëzoj rastin në emër të Komunës së Skenderajt t’i bëj thirrje mazhorancës që të re- reflektojë dhe të marrë përgjegjësinë në atë që ia kanë dhënë qytetarët, të themelojnë institucionet e shtetit dhe të ecim përpara. Edhe një herë, ne do të jemi krah deputetëve të Republikës së Kosovës që janë mbrojtës të sovranitetit, të Kushtetutës dhe të rendit kushtetues të Republikës”, tha Nura.
Edhe kryetari i Degës së PDK-së në Istog, Ali Nimanaj, tha se kanë dalë për të mbështetur deputetët në kërkesat e tyre për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe ligjeve të Kosovës.
“Jemi sot këtu për të dhënë mbështetjen tonë deputetëve në kauzën e tyre për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe ligjeve të Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht i bëjmë thirrje mazhorancës dhe partisë e cila ka fituar zgjedhjet që sa më parë të thërrasë seancën dhe të vazhdojë konstituimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, gjegjësisht të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe të marrë përsipër punët dhe përgjegjësitë të cilat i takojnë dhe të ndikojë me punët e tyre, me projektet e tyre në përmirësimin e jetës së qytetarëve, sepse jeta në Kosovë është rënduar në aspektin ekonomik, social dhe pothuajse jeta është e padurueshme me këtë gjendje politike të cilën ndodhet Republika e Kosovës.
Unë vij nga Istogu dhe një brengë e cila na preokupon të gjithëve, ku e dimë që komunat janë buzë kolapsit bazuar në vendimet të cilat i marrin buxhetet komunale dhe projektet kapitale të cilat kanë qenë të planifikuara tashmë janë të dëmtuara dhe nuk kanë mundësi të realizohen ato projekte. Kjo do të jetë një prej pikave kryesore që qeveria të konstituohet dhe të vazhdojë punën dhe t’ju dalë në ndihmë atyre, komunave dhe qytetarëve.
Një problem tjetër që është, fermerët prej komunës nga vij unë, që tri vite, në 2022, 2023 nga vërshimet që kanë qenë dhe fatkeqësitë natyrore ende nuk janë kompensuar dhe tashmë së fundmi breshëri i cili ka ndodhur dhe ka goditur fermerët e komunës së Istogut, e të cilët presin dorën e qeverisë që t’ju dalë në ndihmë. Kjo do të jetë një prej pikave kryesore që të kemi një, që mazhoranca të marrë përgjegjësinë dhe t’ju dalë në ndihmë atyre fermerëve sepse fermerët me kultivimin e tyre bujqësor pothuajse në tërësi janë të dëmtuar dhe po ndihen të vetmuar dhe të anashkaluar, pa asnjë përkrahje për kompensimin e këtyre dëmeve për fermerët tanë.
Kështu që edhe njëherë i bëjmë thirrje mazhorancës që të konstituojë institucionet, të vazhdojë me punën dhe përgjegjësitë dhe të mos i ikë përgjegjësisë, mos të bllokojë shtetin sepse tanimë ne jemi dhe po i afrohemi edhe sezonit të vjeshtës ku vjen edhe dimri, e dimë edhe problemet energjetike që janë në Kosovë, e urojmë që mos me pas edhe probleme më të mëdha në këtë vend duke bllokuar shtetin. Sikur të ishte qenë e konstituar edhe të vazhdojë puna, ne kemi probleme të mëdha e jo më në stagnim dhe në ngërç të cilin e ka bllokuar kjo mazhorancë“, tha ai.
Ndërkaq, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, tha se kjo çështje nuk është më vetëm e deputetëve, por edhe e qytetarëve.
“I falënderoj veçanërisht kolegët e Skenderajt dhe të Istogut, përfaqësues të tyre që kanë ardhur sot me na mbështet, që kjo kauzë më nuk është vetëm e përfaqësuesve në Kuvendin e Kosovës, por është edhe e të gjithë qytetarëve të vendit, sepse aty ku cenohet shteti, ku cenohet Kushtetuta, cenohet edhe interesi më i madh i qytetarëve, sepse aty merren edhe përgjegjësitë kryesore për t’i zgjidhur problemet e vendit.
Dhe kur cenohet kjo Kushtetutë dhe vetë shteti i Kosovës, atëherë neve na keni përballë, sepse kemi edhe ne përgjegjësi që të mbrojmë Kushtetutën, shtetin, sepse Partia Demokratike e Kosovës ka qenë shtetformuese dhe sigurisht na takon më shumë se kurrë që të mbrojmë atë.
Dhe në këtë drejtim ndoshta u bë normalitet pjesa e shkeljes së Kushtetutës, u bë normalitet edhe shkelja e ligjit. Në ardhjen në pushtet është bërë normalitet edhe mosinvestimi në termocentrale dhe shitja e energjisë apo edhe importimi i energjisë nga Serbia. Është bërë normalitet edhe riparimi i vagonave të trenit në Serbi. Është bërë normalitet, fatkeqësisht, edhe mostrajtimi dhe mosfurnizimi me barna esenciale për pacientët të cilët vuajnë nga kanceri. Është bërë normalitet që pacientët, fatkeqësisht, më shumë të shkojnë të kërkojnë shërim jashtë vendit dhe që QKUK-ja të jetë më shumë për gripin sezonal sesa për trajtimet esenciale të vendit.
Për një të ri në Kosovë u bë normalitet që të mos mendojë që Kosova të jetë aty edhe të jetë për të perspektivë në të ardhmen. Dhe këtë normalitet ne duhet ta luftojmë sepse me të vërtetë asgjë nuk është normale në këtë rrjedhë. Prandaj, mos të konsiderojnë durimin tonë, mos ta ngatërrojnë atë si frikë, sepse bash hiç nuk frikësohemi dhe kur të është koha që ne të protestojmë — sot në formë simbolike me numër më të vogël, nesër edhe në rrugë.
Dhe sigurisht që ata të cilët e kanë marrë pushkën në dorë në kohët më të vështira dhe e kanë hequr armikun shekullor nga Kosova janë në mezin e Partisë Demokratike të Kosovës edhe të Aleancës, dhe ata kanë pasur guxim edhe më të madh. Besoj që kjo është puna më e vogël që ne e bëjmë për shtetin tonë.
Dhe në këtë drejtim sigurisht që i bëjmë thirrje mazhorancës që mos të shkelë tutje Kushtetutën e Kosovës, mos ta përdorë atë vetëm si letër për të ardhur dhe për të arritur qëllimet e veta dhe në këtë drejtim të shkelë edhe amanetin e dëshmorëve edhe të gjithë popullit që kanë sakrifikuar për me ardhur drejt një shteti të Republikës së Kosovës. Ne jemi Republikë parlamentare dhe si Republikë parlamentare qytetarët kërkojnë llogariadhënie, kërkojnë që institucionet të formohen, të konstituohet Kuvendi dhe të merren përgjegjësitë që i takojnë. Në këtë drejtim ne do të qëndrojmë këtu gjithmonë për të mbrojtur Kushtetutën, shtetin dhe të gjitha vlerat që kemi luftuar bashkë si popull“, tha Lushtaku.
Deputetja e Aleancës, Albana Bytyqi, kërkoi nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, që të rikthehet në Kuvend dhe të vazhdojë procesi i formimit të institucioneve.
“Kosova që dy vite po përballet pa institucione dhe Kosova që dy vite ka shumë shqetësime, sfida të cilat po i kalon dhe të cilat kërkojnë zgjidhje. Andaj, ne jemi këtu, duhet të shkojmë në parlament, këto probleme, këto sfida t’i zgjidhim atje ku është vendi ku na ka dhënë besimin qytetari.
Atëherë e ftoj edhe njëherë Albin Kurtin që të mos bëjë hajgare me besimin e qytetarëve të cilët ia kanë dhënë me 53 deputetë, të vijë në Kuvend, të krijojë institucionet dhe të vazhdojmë me punët të cilat me të vërtetë kemi shumë shqetësime, shumë sfida të cilat vendi ynë po i kalon. Andaj edhe njëherë: hajde në Kuvend, bëni institucionet dhe të vazhdojmë punën!“, tha Bytyqi.

