Vdekja e një krimineli dhe jeta e një krimi

Prishtinë | 31 Gus 2026 | 10:09 | Nga Blerim Shala

Ajo e moçmja, e njohur me fjalinë ‘ra kjo dekë e u pamë’, këtu nuk vlen. Jemi pa ne moti. Dhe njihemi tepër mirë. Por kjo vdekje veç çka i vërtetoi gjërat që i dimë kaherë. Fatkeqësisht.

Vdekja për të cilën këtu bëhet fjalë është ajo e Gjeneralit Ratko Mladić, i cili ishte dënuar me burgim të përjetshëm në Hagë (në ICTY), si përgjegjës për gjenocidin e kryer në Srebrenicë, në korrik të vitit 1995. Mbi tetë mijë djem dhe burra u ekzekutuan për pak ditë në Bosnjën lindore.

Lajmi për vdekjen e ‘Kasapit të Bosnjës’, e ktheu gjithë rajonin në një të kaluar tragjike të viteve të nëntëdhjeta.

Në realitet, mënyra se si në qarqet qeveritare të Serbisë u përcoll dhe u komentua fundi i një vrasësi në masë, dëshmoi që kjo historia tragjike është ulur këmbëkryq në politikën e sotme zyrtare të këtij shteti. Madje, Ministri i Drejtësisë të kësaj Qeveria u zotua publikisht për një varrim me protokoll shtetëror për Gjeneralin që sot e kësaj dite llogaritet atypari si vlerë supreme e historisë në decenien e fundit të Shekullit XX.

Mediat ndërkombëtare që raportonin për vdekjen e autorit të krimit më të madh në historinë e Evropës pas Luftës së Dytë Botërore, pastaj shkonin në Potoçare, aty ku prehen viktimat e një Gjenerali, e një politike shtetërore (të Serbisë së Slobodan Miloševićit), e një botëkuptimi dhe ideologjie (serbomadhe), për t’i pyetur nanat e Srebrenicës për këtë lajm që mbërriti nga Haga.

Të gjitha ato me shamija të bardha në kokë, në kujtim të përjetshëm për burrat dhe djemtë e tyre të pushkatuar, folën qetë dhe qartë për plagët të cilat janë të pashërueshme. Njëra prej tyre, bëri shpjegimin dhe komentin më të mirë dhe më të drejtë të mundshëm.

Ajo tha: ’Ai ka vdekur, por nuk ka vdekur ideja e tij. Do të isha e qetë dhe e lumtur, sikur të vdiste ideja e tij…’.

Është shkruar dhe folur edhe më parë që nuk është rendi që të normalizohet kjo pjesë e Evropës, gjashtë shtetet e të së cilës ia kanë mësyrë që të bëhen pjesë e familjes evropiane, pa e normalizuar raportin me historinë, me atë epokën më tragjike të saj që lidhet me luftërat e njëpasnjëshme të cilat iu qepën vetë-shkatërrimit të ish-Jugosllavisë, në vitin 1991.

Nuk do të bëhej kurrë paqja në Evropë, pas gjithë atyre tmerreve të Luftës së Dytë Botërore, pa pajtimin si ide mbizotëruese, pa përballjen me krimet e shkaktuara nga një shtet (nga Gjermania naziste).

U krijua një paqe me historinë, në emër të paqes së Evropës, bashkimi i së cilës do të ndodhte vetëm pas vitit 1989 (rrënimi i Murit të Berlinit), por ai kurrë nuk do të mund të bëhej pa këto rrënjët e forta që u mbollën në ato 10-15 vitet pas luftës.

Në Bosnjë dhe Hercegovinë lufta ka marrë fund qe 31 vjet, në Kosovë qe 27 vjet. Po të respektohej dhe jetësohej ky shembulli që na vie nga Evropa e para 70 viteve, tani, pajtimi midis popujve do të ishte realitet në këtë pjesë të Ballkanit, dhe mbase, që të gjitha gjashtë shtetet e tij tashmë do të ishin pjesë e BE-së.

Mirë, e kemi të qartë që përgjegjësia për këtë vendnumërim nuk është vetëm e këtyre shteteve, apo, që edhe Brukseli zyrtar dhe shtetet kryesore të BE-së kanë hisen e tyre të përgjegjësisë.

Por, do të këndohej një këngë tjetër këndejpari, si dhe në vetë Bashkimin Evropian, po të kishte vdekur dhe varrosur ideja dhe ideologjia që ishte themeli i luftërave dhe tragjedive të viteve të nëntëdhjeta, të cilat sollën qindra mijëra të vrarë dhe miliona të zhvendosur.

Pa ndodhë kjo gjë, nuk do të ketë paqe afatgjatë në këto anë të Evropës.

Të ngjashme