Moderatorja e njohur Sara Gjordeni ka festuar dje 30-vjetorin e lindjes, ndërsa në rrjetet sociale ka ndarë me ndjekësit emocionet që e kanë shoqëruar në prag të kësaj date të veçantë.
Përmes disa postimeve në “Instastory”, Sara tregoi fillimisht se po e përjetonte me nostalgji përfundimin e të njëzetave.
Në një nga fotografitë, ku shfaqej perëndimi i diellit, ajo shkroi:
“Perëndimi i fundit si 29”.
Në një tjetër postim, Gjordeni rrëfeu se prej disa ditësh është ndjerë më emocionale sa herë mendon se po mbyll një kapitull të rëndësishëm të jetës së saj.
“U bënë një javë e pak që më mbushen sytë me lot dhe më mblidhet një lëmsh në fyt kur mendoj se të njëzetat mbaruan. Qenka fazë shumë nostalgjike, ose të paktën kështu po e përjetoj unë me hormonet e bebushes”, shkroi ajo.
Sara kujtoi gjithashtu se shumë prej ndjekësve e kanë njohur kur sapo kishte mbushur 27 vjeç dhe i falënderoi për mbështetjen gjatë viteve.

“E besoni dot që shumica prej jush më njohët sapo kisha bërë 27 dhe nesër jam 30? Më keni shoqëruar në kaq shumë momente domethënëse për mua. Jam mirënjohëse që jeni këtu ende, më mbështesni, më doni kështu siç jam”, shtoi ajo.
Në mesazhin e saj, moderatorja përcolli edhe një këshillë për të gjithë ata që ndodhen në një periudhë të ngjashme të jetës.
“Çdo kapitull ka synimet, ëndrrat dhe arsyet e tij për t’u jetuar dhe shijuar”, shkroi Gjordeni.
Mëngjesin e ditëlindjes, Sara publikoi edhe një video ku tregoi momentin e festimit së bashku me partnerin e saj, Bardhin, dhe vajzën e tyre, Nea.
Në pamje, Bardhi dhe Nea shfaqen duke i kënduar këngën e ditëlindjes, ndërsa më pas fryjnë së bashku qirinjtë e tortës.
Krahas videos, Sara ndau edhe një tjetër mesazh emocional për familjen e saj.
“E nëse jetën me të mirat e të këqijat, gabimet, fatkeqësitë, zhgënjimet, ëndrrat, synimet e disfatat do të më urdhëronin ta ribëja sërish, do të ecja përmes saj e lumtur, sepse do ta dija se në fund më prisni JU”, shkroi ajo.
Postimi mori menjëherë mijëra pëlqime dhe urime nga ndjekësit e saj. /GazetaExpress/