Britanikëve po u kërkohet të jenë të përgatitur për emergjenca të mundshme, duke mbajtur në shtëpi ushqime dhe ujë të mjaftueshëm për disa ditë, në një kohë kur paralajmërimet për forcimin e fenomenit El Niño po shtohen.
Meteorologët po ndjekin me shqetësim zhvillimin e fenomenit klimatik, i cili pritet të ndikojë në motin ekstrem në pjesë të ndryshme të botës. Sipas parashikimeve, El Niño mund të sjellë zjarre, përmbytje, thatësira dhe stuhi më të fuqishme, ndërsa Britania mund të përballet me një dimër më të lagësht dhe me më shumë erëra.
Sekretarja britanike e Mjedisit, Angela Eagle, ka paralajmëruar se vendi duhet të përgatitet për pasojat e mundshme.
“Ne jemi gati të përjetojmë ndoshta El Niñon më të madh të regjistruar ndonjëherë dhe kjo do të çojë në vera më të thata, dimra më të lagësht dhe stuhi më ekstreme në vendin tonë”, është shprehur ajo.
Sipas saj, familjet duhet të kenë furnizime bazë në shtëpi, në mënyrë që të mund të përballojnë disa ditë në rast të ndërprerjes së energjisë elektrike apo furnizimit me ujë.
El Niño është një fenomen natyror klimatik që lidhet me ngrohjen e pazakontë të ujërave të Oqeanit Paqësor. Ky ndryshim ndikon në qarkullimin atmosferik dhe mund të shkaktojë ndryshime të mëdha të motit në shumë rajone të botës. Sipas të dhënave të fundit, temperaturat e ujërave në zonën kryesore të Paqësorit të lidhur me El Niño-n janë rreth 2.6 gradë Celsius mbi mesataren e 30 viteve të fundit.
Parashikimet tregojnë se temperaturat mund të rriten edhe më tej në muajt e ardhshëm, duke e bërë këtë një nga episodet më të fuqishme të El Niño-s të regjistruara. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka paralajmëruar se fenomeni “po bëhet gjithnjë e më i fortë para syve tanë”, ndërsa ka theksuar se bota po përballet me rrezik në rritje nga ngjarjet ekstreme të motit.
Ekspertët paralajmërojnë se kombinimi i El Niño-s me ngrohjen globale mund të sjellë pasoja të rëndësishme për klimën dhe ekonominë botërore. Në disa rajone mund të rritet rreziku i zjarreve dhe thatësirave, ndërsa në zona të tjera mund të ketë reshje të dendura dhe përmbytje. Efektet mund të prekin edhe prodhimin bujqësor, duke rritur rrezikun e pasigurisë ushqimore.
Në Britani, qeveria po planifikon një fushatë ndërgjegjësimi për familjet, me qëllim përgatitjen e tyre për emergjenca të mundshme kombëtare.
Qytetarëve pritet t’u kërkohet të mbajnë në shtëpi produkte me afat të gjatë përdorimi, si ushqime të konservuara, si dhe furnizime me ujë dhe mjete të tjera bazë. Paralelisht, qeveria britanike po investon në infrastrukturën e ujit dhe në masa për ta bërë bujqësinë më të qëndrueshme ndaj ndryshimeve klimatike. Autoritetet argumentojnë se përgatitja për kushte më ekstreme të motit nuk duhet të jetë vetëm përgjegjësi e institucioneve, por edhe e familjeve dhe komuniteteve.