Ahmeti: Për 6 muaj bizneset qarkulluan afër 11 miliardë euro

Prishtinë | 04 Sht 2026 | 18:37 | Nga Ekonomia Online

Në emisionin EURO n’T7 janë prezantuar të dhëna makroekonomike të prodhuara dhe analizuara nga kompania Data4X dhe të prezantuara nga udhëheqësi i saj, Shpend Ahmeti.

Në bazë të këtyre të dhënave del se qarkullimi i bizneseve për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, është rritur për 1.3%, apo në total qarkullimi ka qenë 10.7 miliardë euro.

Po ashtu, në bazë të këtyre të dhënave, importi i mallrave ka qenë 3.59 miliardë euro, apo mbi 7% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak. Në anën tjetër, eksporti ka qenë 521 milionë euro, apo 19.2% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Të dhënat e DATA4X tregojnë se importi i mallrave mbulohet me vetëm 14.5%, apo nga 7 euro sa importojmë, eksportojmë vetëm një euro.

“Shumica e zhvillimit ekonomik vendor vjen nga sektori privat, pa ndonjë iniciativë e cila vjen prej jashtë. Gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti bizneset private kanë qarkulluar përafërsisht 11 miliardë euro, importi i mallrave ka rritje prej 7% krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, apo rreth 3.6 miliardë. Për herë të parë gjatë vitit 2026 eksportet do ta tejkalojnë shifrën prej 1 miliard euro, sepse vetëm për gjashtëmujorin e parë të këtij viti kemi rritje të eksporteve prej 19.2%. Vlera e eksporteve mbetet ende e ulët”, ka thënë Ahmeti.

Të ngjashme