Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka konfirmuar se deputetët e PDK-së do të jenë të pranishëm në vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit, e cila pritet të mbahet më 9 shtator, raporton Ekonomia Online.
Pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së dhe Grupit Parlamentar, Hamza tha se partia e tij do të marrë pjesë në seancë, duke shprehur njëkohësisht shpresën se kjo thirrje do të çojë drejt konstituimit të Kuvendit.
Ai uroi që vazhdimi i seancës të mos përfundojë pa rezultat dhe që Kuvendi të arrijë të konstituohet.
Duke folur për rëndësinë e datave të ardhshme për vendin, Hamza tha se Kosova duhet ta ketë sa më shpejt Kuvendin e konstituar.
“Partia Demokratike e Kosovës do të jetë me datën 12 dhe do të jetë me datën 16. Është e nevojshme, është e domosdoshme që Republika e Kosovës ta ketë Kuvendin e konstituar, që kjo ka të bëjë edhe me peshën dhe rëndësinë e datës 16”, tha ai.
Hamza theksoi se PDK-ja nuk ka përgjegjësi për thirrjen e seancës, por sipas tij, deputetët e kësaj partie kanë qenë vazhdimisht të pranishëm në Kuvend.
“Ne nuk e thërrasim seancën. Ne nuk kemi përgjegjësi pse deri tash nuk është konstituar Kuvendi. Ne çdo 48 orë kemi qenë në Kuvend. Ne çdo ditë e kemi ftuar zotin Kurti që të vijë në Kuvend, që t’i respektojë Kushtetutën dhe ligjet”, tha Hamza.
Ai shtoi se, pavarësisht tejkalimit të afateve kushtetuese, Kuvendi duhet të konstituohet dhe më pas të shqyrtohen hapat e mëtejshëm politikë e juridikë.
“Prandaj, ne shkojmë aty me kryer detyrën tonë, se edhe pse përtej afateve kushtetuese, Kushtetuta nuk e ka të qartësuar, nuk e ka të qartësuar dhe nuk e thotë që Kuvendi nuk duhet të konstituohet. Kuvendi gjithsesi duhet të konstituohet e pastaj me parë cilat do të jenë veprimet e radhës rreth e rrotull edhe politike edhe juridike”, deklaroi ai.
Kreu i PDK-së foli edhe për mundësinë e adresimit të çështjes në Gjykatën Kushtetuese, duke thënë se kjo do të varet edhe nga zhvillimet në ditët në vijim.
“Sigurisht se ka hapësirë për shqyrtim edhe të vendimit që ka të bëjë me konstituimin e Kuvendit, po pastaj edhe për institucionet e tjera që mund të jenë derivat i punës së Kuvendit. Kemi dërguar lëndë në Gjykatën Kushtetuese edhe i kemi fituar, se kemi pasur të drejtë”, tha Hamza.
Ai paralajmëroi se PDK-ja mund t’i drejtohet sërish Gjykatës Kushtetuese, në varësi të situatës.
“Asnjëherë s’i dërgojmë, duhet me na marrë seriozisht se prapë i fitojmë. A do ta dërgojmë këtë, do të varet shumë prej datave që i përmenda”, u shpreh ai.
I pyetur për propozimin e PDK-së për nënkryetar të Kuvendit, Hamza konfirmoi se kandidatura do të jetë Vlora Çitaku.
“Po, kemi propozim. Propozimin e kemi pasur edhe brenda afatit, do të jetë zonja Vlora Çitaku”, tha ai.
