Këshilli Gjyqësor i Kosovës pritet të marrë të enjten vendimin për kryetarin e Gjykatës Administrative.
Çështja është përfshirë në rendin e ditës të mbledhjes së 372-të të KGJK-së, ku janë gjithsej 18 pika për shqyrtim.
Për drejtimin e kësaj gjykate janë intervistuar dy kandidatë, Kreshnik Kaçiu dhe Liridona Ajeti-Kajtazi.
Vlerësimi i kandidatëve është bërë nga një komision i përbërë nga Afërdita Bytyqi, në cilësinë e kryetares, si dhe Bashkim Hyseni e Fahret Vellija, si anëtarë. Në cilësinë e anëtares rezervë është Ivana Milenkoviq.
Procedura e përzgjedhjes zhvillohet në bazë të Ligjit për Gjykatën Administrative dhe Rregullores 12/2022, e cila përcakton procedurat për zgjedhjen, emërimin, pezullimin dhe shkarkimin e kryetarëve të gjykatave dhe gjyqtarëve mbikëqyrës.
Pas intervistimit, Komisioni për Vlerësim shqyrton dhe vlerëson kandidatët, ndërsa rezultatet përfundimtare u komunikohen atyre. Pas kësaj, parashihet edhe mundësia e ankesës.
Në përfundim të procedurës, përgatitet raporti final dhe rekomandimi i Komisionit i dërgohet KGJK-së për vendimmarrje.
Vendimi merret përmes votimit të fshehtë. Kandidati që siguron shumicën e thjeshtë të votave konsiderohet i zgjedhur.
Gjykata Administrative, me seli në Prishtinë, është hapur zyrtarisht më 5 maj 2026.
Në bazë të Ligjit për Gjykatën Administrative, puna e saj është e organizuar në katër departamente: Departamenti Fiskal, Departamenti për Kontestet e Punës, Departamenti për Skemat Sociale dhe Pensionet dhe Departamenti i Përgjithshëm.
Konkursi për pozitën e kryetarit ishte shpallur nga KGJK-ja në mbledhjen e mbajtur më 30 prill 2026.
Përveç kësaj çështjeje, në mbledhjen e së enjtes KGJK-ja do të shqyrtojë edhe raportimet e kryetarëve të gjykatave për periudhën prill-qershor 2026, si dhe pikat e tjera të parapara në rendin e ditës.