20 minuta i mjaftuan Bernalit për mësimin e parë nga mjeshtri Rodri

Prishtinë | 10 Sht 2026 | 17:28 | Nga Ekonomia Online

Mesfusha e Barcelonës është e mbushur me talent, ndërsa Marc Bernal pati mundësinë të marrë mësimet e para nga një prej mesfushorëve më të mirë të gjeneratës së tij, Rodri.

Bernal zëvendësoi Pedrin në minutën e 63-të të ndeshjes së Barcelonës ndaj Feyenoordit në Ligën e Kampionëve, të mërkurën, duke krijuar një situatë që nuk kishte ndodhur më parë këtë sezon.

Talenti i dalë nga akademia e Barcelonës dhe Rodri, një prej yjeve të rinj të skuadrës, u aktivizuan së bashku në fushë për herë të parë.

Në minutat e para pas hyrjes, Bernal luajti vetëm pak metra larg Rodrit, duke marrë pozicionin që zakonisht mbulon Pedri, pak më përpara fituesit të Topit të Artë.

Mesfushori katalanas tregoi energji të madhe dhe u përshtat shumë mirë me qarkullimin e topit dhe lojën e pasimeve të Barcelonës.

Kur Gavi zëvendësoi Rodrin në minutën e 83-të, Bernal u tërhoq më prapa dhe mori rolin e mesfushorit defensiv, pozitë në të cilën ishte aktivizuar edhe në dy ndeshjet që kishte nisur si titullar këtë sezon, raporton “Mundo Deportivo”.

Gjatë sezonit të kaluar, në mungesë të Rodrit, talenti i akademisë kishte luajtur disa herë në rolin e mesfushorit para mbrojtjes.

Madje, në ndeshjen e fazës së Ligës së Kampionëve kundër Paris Saint-Germainit, Bernal ishte aktivizuar edhe si mesfushor ofensiv, duke dëshmuar rëndësinë e tij për skuadrën dhe aftësinë për të luajtur në role të ndryshme në mesfushë.

Këto 20 minuta përkrah Rodrit mund të konsiderohen si “mësimi i parë i avancuar” për Bernalin nga një prej mesfushorëve më të kompletuar të futbollit modern.

Bernal dhe ish-ylli i Manchester Cityt i treguan trajnerit Hansi Flick se, pavarësisht disa ngjashmërive në stilin e lojës, të dy mund të luajnë së bashku dhe të jenë pjesë e një mesfushe të Barcelonës që vazhdon të ketë shumë alternativa dhe talent.

Të ngjashme