Hamza: Vendimi i padrejtë është dënim për Kosovën, historinë nuk lejojmë të rishkruhet

Prishtinë | 12 Sht 2026 | 14:51 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se një vendim i padrejtë ndaj ish-krerëve të UÇK-së do të ishte dënim për Kosovën, duke thënë se padrejtësia nuk pranohet dhe se historia e vendit nuk duhet të rishkruhet, raporton Ekonomia Online.

Në fjalimin e tij në “Marshin për Liri”, Hamza ka thënë se Kosova e ka përjetuar mungesën e drejtësisë dhe se liria e saj nuk erdhi vetë, por u arrit përmes sakrificës dhe luftës së UÇK-së, të mbështetur nga demokracitë perëndimore.

“Vendimi i padrejtë mbi të gjitha është dënim për Kosovën, dhe padrejtësinë nuk e pranojmë, këto nuk janë fjalë zemërimi, janë fjalë përgjegjësie. Sepse ne e dimë se çfarë do të thotë të jetosh pa drejtësi, e kemi provuar, e kemi përjetuar, ne jemi popull që kemi pritur, kemi pritur djemtë tanë të kthehen nga lufta, kemi pritur të gjenden të zhdukurit që 27 vjet, kemi pritur lirinë, por liria nuk erdhi vetë. Kur rrugët e paqes u mbyllën, populli ynë u ngrit, dhe kur u ngrit, nuk u ngrit për pushtet, u ngrit për ekzistencë, u ngrit për dinjitet. U ngrit për liri, dhe bota demokratike e pa e kuptoi dhe e mbështeti UÇK-ja, dhe demokracitë perëndimore u gjendën në të njëjtën orë. Ky partneritet, kjo aleancë, solli lirinë dhe shtetin e Kosovës”, tha ai.

Hamza ka përmendur edhe figurat e UÇK-së dhe sakrificën e tyre për Kosovën, duke thënë se qytetarët sot jetojnë në një shtet të lirë falë atyre që dhanë jetën dhe ishin të gatshëm të sakrifikonin për vendin.

“Qytetarë të dashur, sot ne jetojmë në shtetin tonë të lirë, sepse kish atdhetarë si Adem Jashari, si Zahir Pajaziti, si Luan dhe Shkëlzen Haradinaj, si Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, e shumë burra e gra që disa dhanë jetën dhe të tjerët ishin të gatshëm të sakrifikonin gjithçka për këtë vend. Ata janë ngritur për Kosovën, për ta mbrojtur, dhe sot kurdo që duhet, Kosova ngrihet për t’i mbrojtur ata. Historia e Kosovës nuk lejojm qe të rishkruhet”.

“Në emër të popullit Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi shpallën të pafajshëm”, tha ai.

Të ngjashme