Të fala Albin Kurtit

Prishtinë | 12 Sht 2026 | 16:21 | Nga Kimete Berisha

Të fala Albin Kurtit.

(Sinqerisht.)

Njeriu bie kur është më së miri – më së larti.

N’hava.

Nuk bie i rëni.

Bie i madhi kur është lart – që ta përjetojë mirë rënien.

Me mish e me shpirt.

Rrasët.

Sa më lart të ngjitet njeriu, aq më shumë i duket se lartësia është dashnorja e tij.

(E josh, ia ledhaton egon, e bën të dashurohet me të – dhe pastaj e flak.)

Njeriu në kulm ngatërron pozitën me përmasën e vet.

Kam pushtet – kam epërsinë.

Kam turmën – kam pavdekësinë.

Dhe fillon t’i shohë të tjerët nga lart.

I përbuz të pafatët.

I harron të vetmuarit.

I poshtëron ata që s’kanë kah t’ia mbajnë.

I duken inekzistentë të gjithë ata që s’kanë fuqi t’ia prishin lojën.

Dhe pikërisht atëherë fillon rënia.

Jo kur humb pushtetin.

Kur të hyn vetja në qejf.

Sepse njeriu që bie nga një karrige,

çohet.

Ai që bie nga mendimi i madh që ka krijuar për veten –

nuk çohet më.

Bie aq poshtë, sa gurit e drurit i dhimbset.

Papritur.

Të ishe vërtet i madh, s’do të kishe nevojë për vegjëli.

Vetëm të vegjlit numërojnë adhurues.

Perënditë nuk numërojnë besimtarë.

Si shoku-shokut.

Lartësia t’i merr mendtë.

Askush nuk shpëton nga mendja e madhe.

As Niçe nuk shpëtoi.

E shpiku Mbinjeriun, ndërsa në fund s’qe i zoti ta përballonte as veten.

Mos të përmend diktatorë e ta fëlliq shkrimin me fatet e tyre të tmerrshme.

Kur filluan të më botoheshin shkrimet në gazetë… njëfarë mendjeje… hu…

Por gjithmonë gjendej dikush pranë meje që më shpëtonte nga lartësia:

– Mos gabo… me t’u rritë mendja.

Nuk e kam lejuar të rritet.

Më kanë shpëtuar nga lartësia ata që më kanë shëruar nga frika prej lartësisë.

Përkundër miliona komplimenteve të pabesueshme që kam marrë.

Dhe jam e sigurt se s’ka shkrimtar shqiptar – as të gjithë bashkë – që kanë marrë më shumë komplimente se unë.

Por nuk ia lejoj vetes delirin që t’i jetoj komplimentet si biografi.

Kurrë s’i kam parë lexuesit si më të vegjël se unë.

Sepse s’janë.

Shkrimi nuk nis me mua…

Miliona para meje kanë qenë miliona herë më të mirë se unë.

Ky mendim më qetëson.

Edhe sot.

Një herë në javë i them vetes:

“Eh moj çikë!”

Sepse poshtë e kemi vendin.

Duke pritur radhën.

– Kur e ulim kokën, i shohim ata që janë më të vegjël se ne.

– Kur e ngremë kokën, i shohim ata që janë më të mëdhenj se ne.

Problemi fillon kur nuk e lëvizim më kokën.

Niçe e ngriti aq lart, sa mbi njeriun zbuloi Mbinjeriun.

Zotin ndërkohë e kishte shpallur të vdekur.

Dikush duhej t’ia zinte vendin.

EPILOG:

Shoh që Mbinjeriu i Niçes nuk je më vetëm ti.

T’u ka mbushur partia me zotëra.

S’ka vetëshkatërrim më të madh se ky:

deliri i madhështisë kolektive që e ka kapluar Vetëvendosjen.

Si Niçe para se ta humbte veten…

Krejt.

P.S. Derisa s’shihni P.S. në shkrimet e mia – rrezik është puna.

Për letërsinë.

Të ngjashme