Më 16 shtator, Haga jep verdiktin e saj – jo timin

Prishtinë | 11 Sht 2026 | 19:44 | Nga Kreshnik Beqiri

Rochesteri është një qytet i vogël në verilindje të shtetit të New York-ut, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. RIT është një nga dy universitetet e mëdha të këtij qyteti. Me siguri, nga rreth 30 mijë studentë që sorollaten në hapësirën e gjerë të kampusit, unë do të jem i vetmi që më 16 shtator do të zgjohem në orën 4 të mëngjesit për të pritur verdiktin e një paneli gjyqtarësh në Gjykatën Speciale për katër çlirimtarë të vendit tim: Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.

Fakti se unë do të jem zgjuar, kur i gjithë kampusi po fle atë të mërkurë historike për Kosovën, nuk nënkupton se ai verdikt gjykate vlen për mua më shumë se për këta djem dhe vajza që ndoshta s’kanë dëgjuar kurrë për ata burra. Ai verdikt për mua ndoshta vlen edhe më pak pikërisht se i njoh mirë katërshen e akuzuar në Hagë dhe krejt çka lanë pas për gjeneratën time në Kosovë.

Unë kam lindur gjashtë vjet pas luftës. Kurrë nuk kam dëgjuar një aeroplan të NATO-s duke fluturuar mbi qiellin e Kosovës. S’kam parë forca serbe tek hyjnë në ndonjë fshat shqiptar. S’kam marrë rrugën e refugjatit të luftës. Dhe s’jam gjendur kurrë në një pozicion për të vendosur nëse jam trim sa duhet a jo për të kapur pushkën dhe për t’iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Unë kam trashëguar diçka shumë më të lehtë. Lirinë.

Unë jam rritur duke parë Hashim Thaçin si Shpallës të Pavarësisë, Kryeministër e President.

Më 16 shtator, Gjykata Speciale pritet të na tregojë edhe nëse ai e shokët e tij kanë qenë ose jo kriminelë lufte.

Unë veçse e di se cilido të jetë vendimi i tyre, ai nuk do të jetë i imi.

Për mua, Hashim Thaçi dhe shokët e tij janë të pafajshëm.

Kur Gjykata do të mblidhet për të vendosur fatin e Thaçit, në sytë e tij unë do të shoh djalin e ri, i cili iu bashkua një projekti që nuk premtonte eskorta ceremoniale, takime në Washington apo fotografi me liderë shtetesh.

Po, krejt çka ofronte ishte mundësia e madhe për t’u vrarë.

Ai projekt nisi në një Kosovë që ishte zhveshur nga autonomia, me qytetarë që s’kishin punë, që vriteshin, masakroheshin e dëboheshin nga vendi i tyre.

Në mars të vitit 1999, dhuna brutale e Millosheviç-it në Kosovë mori vëmendje ndërkombëtare. NATO hyri në luftë.

Kjo e bën edhe më të veçantë vendin nga ku do të ndjek gjyqin e fundit të Thaçit dhe të tjerëve.

Unë do të jem një i ri që po studion në New York, sepse isha mjaftueshëm me fat të lindja në një Kosovë në të cilën vulos pasaportën dhe largohesh me një valixhe dhe jo në një në të cilën do të isha një nga 1 milion bashkatdhetarët e mi në kolonat e refugjatëve.

Unë mund të kritikoj vendin tim. Mund të kritikoj Qeverinë time. Mund të bëhem gazetar, poet, piktor, programer. Mund të hip në një aeroplan – të largohem për studime – dhe të kthehem prapë në atdhe. Mund të dua këdo. Mund të eci kurdo dhe kudo pa vrarë mendjen.

Këto të gjitha mund të jenë gjëra të zakonshme. Pikërisht kjo i bën ato të vlejnë më shumë se çdo gjë tjetër.

Gjenerata para meje, ajo e Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit, morën armën në dorë dhe luftuan bash pse shpresuan se një ditë jetët tona mund të bëhen të zakonshme.

Kjo është trashëgimia me të cilën unë kuptoj UÇK-në.

Dhe kjo është edhe arsyeja pse një gjyq nuk mund të vendosë për popullin tim dhe historinë e tij.

Nëse Thaçi dhe të tjerët lirohen, unë do të festoj.

Po, lirimi i tij nuk e bën UÇK-në çlirimtare.

Ajo është.

Nuk e bën kauzën për pavarësi të drejtë.

Ajo ka qenë ashtu prej kur ka filluar.

Nuk do t’i bëjë të akuzuarit e prokurorisë figura emblematike të historisë sonë.

Ata veçse janë.

Dhe nëse ata dënohen?

Normalisht, nuk pritet qetësi nga një popull që jeton në trashëgiminë që po përshkruaj. Dënimi do të bartë pasoja të jashtëzakonshme për krejt Kosovën dhe, natyrisht, evidenca e arsyetimi rreth tij do të duhet të ekzaminohet seriozisht.

Po, ka gjëra që dënimi s’do të mund t’i bëjë.

Nuk mund ta rindërtojë shtëpinë e djegur të familjes sime në fshat.

S’mund të çojë nga varri asnjë nga mbi 1 mijë fëmijët e vrarë gjatë luftës.

S’mund të shlyejë traumat e 20 mijë të dhunuarve seksualisht.

S’mund ta zhbëjë Millosheviç-in e as regjimin e tij fashist.

S’mund ta bëjë rezistencën të pakuptimtë.

Dhe, aq më pak pastaj, s’mund të më bëjë të më vijë turp për paraardhësit e mi e sakrificat e tyre.

Kjo mund të duket patetike. Ndoshta edhe është. Historia, për gjeneratën tonë, është rrallëherë një çështje akademike. Ajo ulet në sofrat e bukës, valon në flamujt përqark vendit, qëndron e varur në fotografitë e mureve e në emrat e shkollave dhe rrugëve. Ajo është e varrosur në çdo varrezë.

Gjeneratës sime i është kërkuar ta mbajë mend krejt këtë gjë pa e përjetuar asnjëherë.

Fatmirësisht, ama.

Refuzoj ta pranoj lirinë si trashëgimi pa pasur gjithnjë në kokë çmimin që u pagua për të.

Kjo është dhe pse gjyqi i 16 shtatorit, ndonëse i pavlerë në gjykimin tim, shihet ndryshe nga unë dhe gjyqtarët ndërkombëtarë të panelit.

Ata kanë barrën të japin një përgjigje ligjore, duke gjetur të vërtetën mes shumë mjegullish që ka krijuar ajo prokurori skandaloze.

Unë kam barrën të mos harroj përgjigjen historike.

Më 16 shtator, kur ora të bëhet 10:00 në Kosovë, populli shqiptar do të jetë i mbledhur në rrugë për të pritur vendimin bashkërisht.

Në Hagë, çlirimtarët tanë do të ngrihen në këmbë për të dëgjuar njerëz të tjerë tek vendosin nëse ata mund të kthehen në vendin, deklarata e pavarësisë të secilit mban nënshkrimin e shumicës prej tyre.

Shpresoj se ata do të kthehen në shtëpi.

Unë dua që ata të kthehen në shtëpi.

Po nëse jo, unë nuk do të pranoj që një sallë gjyqi, mijëra kilometra nga Kosova, të më thotë se historia të cilën kam trashëguar duhet të lexohet së prapthi.

Unë do të vazhdoj të besoj se Kosova pati të drejtë të rezistojë.

Unë do të vazhdoj të shoh emblemën e UÇK-së si një formacion që luftoi për lirinë time dhe popullit tim.

Gjyqtarët kanë gjashtë vite me dëshmi dhe evidenca, çfarëdo qofshin ato, për ta bazuar vendimin.

Unë kam një jetë në Kosovën e lirë për ta shpjeguar timin.

Më 16 shtator, ata do të kumtojnë vendimin e tyre për katërshen.

Ata nuk do të kumtojnë timin.

Të ngjashme