Fakulteti i Mjekësisë në Prishtinë ka dalë me një sqarim lidhur me ecurinë e procesit të regjistrimit, duke theksuar se gjatë gjithë procesit ka vepruar brenda kompetencave të veta dhe në përputhje me procedurat dhe vendimet institucionale.
Sipas Fakultetit, pas rekomandimeve të Inspektoratit të Arsimit, procesi është zhvilluar në koordinim institucional me Universitetin e Prishtinës.
“Më 17–18.08.2026 është proceduar për formimin e Komisionit Profesional, me anëtarë të propozuar nga FSHMN dhe në koordinim ndërmjet UP-së, FSHMN-së dhe FM-së. Komisioni është formalizuar me vendimet e datave 20.08.2026 dhe 26.08.2026, ndërsa raporti i tij, pas përfundimit, u është përcjellë institucioneve kompetente.
Sot, më 11.09.2026, Fakulteti i Mjekësisë ka pranuar Vendimin dhe Procesverbalin e riinspektimit të Inspektoratit të Arsimit, në të cilat është vlerësuar shkalla e zbatimit të rekomandimeve të mëparshme dhe janë përcaktuar veprimet e mëtejshme, të cilat Komisioni Profesional obligohet t’i përmbushë brenda tri ditëve të punës. Fakulteti i Mjekësisë, në kuadër të kompetencave të veta, do të ndërmarrë veprimet që rrjedhin nga ky proces”.
Për korrektësi të informimit, Fakulteti thekson se pezullimi i përkohshëm i procesit të regjistrimit nuk është vendim i menaxhmentit të Fakultetit të Mjekësisë, por vendim i marrë në nivel të Universitetit të Prishtinës, të cilin Fakulteti e ka respektuar në kuadër të përgjegjësive të veta institucionale.
“Ndërkohë, proceset e tjera të provimit pranues kanë vazhduar sipas planifikimit. Afati i dytë plotësues i provimit pranues është realizuar më 08.09.2026, ndërsa shqyrtimi i ankesave ka përfunduar më 11.09.2026 dhe rezultatet përfundimtare janë publikuar në uebfaqen e Fakultetit të Mjekësisë.
Fakulteti i Mjekësisë mirëkupton shqetësimin e kandidatëve dhe familjeve të tyre dhe ndan interesin që ky proces të përfundojë sa më shpejt. Njëkohësisht, çdo veprim do të ndërmerret brenda kompetencave të Fakultetit, duke respektuar vendimet e organeve kompetente dhe procedurat ligjore e institucionale”, theksohet më tej.