Rusia ka sulmuar një kamion pranë kufirit të Ukrainës me Poloninë, kanë bërë të ditur zyrtarë polakë dhe ukrainas.
Sulmi ndodhi rreth 800 metra larg territorit polak dhe përkohësisht shkaktoi ndërprerjen e funksionimit të pikëkalimit kufitar Dorohusk-Yahodyn.
Rojet kufitare polake konfirmuan se pika kufitare tashmë ka rifilluar punën, shkruan Reuters.
Ndërkohë, Ministria ruse e Mbrojtjes tha se objektivi i sulmit ishte infrastruktura që, sipas saj, përdoret për transportin e ngarkesave ushtarake nga Evropa drejt Ukrainës.
Ukraina mbështetet në rrugët tregtare dhe dërgesat e armëve përmes kufijve me Poloninë, Rumaninë dhe Moldavinë.
Sulmi vjen në kuadër të intensifikimit të goditjeve ruse ndaj pikave kufitare të Ukrainës me aleatët e saj perëndimor.