Ousmane Dembélé ka reaguar ndaj deklaratave të Kylian Mbappés, i cili pak ditë më parë kishte bërë një krahasim mes karrierës së tij dhe asaj të bashkëlojtarit te kombëtarja franceze.
Duke folur për garën për Topin e Artë, Mbappé kishte deklaruar se Dembélé gjithmonë është konsideruar si një lojtar me shumë talent, ndërsa ai vetë ishte parë që në moshë të re si “lojtari i zgjedhur”.
“Dembélé? Ai gjithmonë është konsideruar një lojtar shumë i talentuar. Për mua, gjithmonë është thënë se isha lojtari i zgjedhur. Arrita në majë menjëherë dhe në moshë shumë të re. Ai pati një karrierë tjetër për shkak të dëmtimeve, por ka ditur ta rikuperojë shumë mirë”, kishte thënë Mbappé.
Ylli i Real Madridit, i përfshirë vetë në garën për Topin e Artë, ndezi kështu edhe më shumë debatin rreth kandidatëve për çmimin më prestigjioz individual në futboll.
Dembélé: “Nuk kam qenë kurrë lojtari i zgjedhur”
Dembélé, i cili deri tani kishte qëndruar në heshtje, ka folur më në fund për shanset e tij për ta fituar Topin e Artë 2026.
Sulmuesi i Paris Saint-Germain fitoi këtë çmim në vitin 2025, pasi udhëhoqi skuadrën drejt tripletës së trofeve – Ligës së Kampionëve, Ligue 1 dhe Kupës së Francës.
Ai është sërish një nga kandidatët kryesorë këtë vit, pasi PSG ka fituar për herë të dytë Ligën e Kampionëve.
Pas fitores 1-0 ndaj Brest, Dembélé foli për “Foot Mercato” dhe iu përgjigj në mënyrë indirekte deklaratave të Mbappés.
“Jo, unë kam qenë gjithmonë kështu. Gjithmonë kam qëndruar në fund të klasës dhe kam punuar shumë. Gjatë gjithë karrierës sime nuk kam thënë asnjë fjalë, vetëm kam punuar”, deklaroi ai.
Më pas francezi iu referua drejtpërdrejt krahasimit të bërë nga Mbappé.
“Unë nuk kam qenë kurrë lojtari i zgjedhur. Kam punuar shumë dhe u shpërbleva me një vit të jashtëzakonshëm me Parisin. Këtë vit do të shohim. Po e ndjek situatën pa presion. Do të shohim”, shtoi Dembélé.
Gara vazhdon deri më 26 tetor
Deklaratat e Dembélés pritet ta ndezin edhe më shumë garën për Topin e Artë 2026.
Francezi synon ta mbrojë çmimin që fitoi një vit më parë, ndërsa Mbappé po zhvillon gjithashtu një sezon që e mban mes kandidatëve kryesorë.
Përgjigjja përfundimtare do të vijë më 26 tetor, kur do të zhvillohet ceremonia e Topit të Artë 2026. /GazetaExpress/