Dreshaj në Forumin Publik të OBT-së: Kosova drejt integrimit në ekonominë globale

Prishtinë | 15 Sht 2026 | 12:46 | Nga Ekonomia Online

Lidhja e Bizneseve të Kosovës po merr pjesë në Forumin Publik të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT), ku delegacioni i saj, i kryesuar nga kryetari Besart Dreshaj dhe nënkryetari Hashim Deshishku, po zhvillon takime me përfaqësues të institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare.

Sipas Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, gjatë forumit Dreshaj ka zhvilluar takime dhe bashkëbisedime me drejtoren e Përgjithshme të OBT-së, Ngozi Okonjo-Iweala, sekretarin e Përgjithshëm të Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë (ICC), John Denton, si dhe me përfaqësues të Dhomës së Tregtisë së Gjenevës dhe drejtues e përfaqësues të tjerë të komunitetit ekonomik ndërkombëtar.

Në këto takime, sipas njoftimit, është diskutuar për zhvillimin ekonomik të Kosovës, forcimin e sektorit privat, rritjen e bashkëpunimit tregtar dhe investimeve, si dhe perspektivën e Kosovës për integrim më të fuqishëm në sistemin ekonomik dhe tregtar ndërkombëtar.

“Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe rritjes së përkrahjes për Kosovën në rrugën drejt anëtarësimit në Organizatën Botërore të Tregtisë”, thuhet në njoftimin e Lidhjes së Bizneseve të Kosovës.

Gjatë takimeve, kryetari Dreshaj prezantoi potencialet dhe të arriturat e Kosovës në fushën e ekonomisë dhe tregtisë, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes ndërkombëtare dhe bashkëpunimit me partnerët strategjikë.

Delegacioni i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës zhvilloi gjithashtu takime me kryetarë dhe përfaqësues të Dhomave të Tregtisë nga shtete të ndryshme.

Sipas njoftimit, në këto takime u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit ekonomik, investimet, rritjen e shkëmbimeve tregtare, partneritetet ndërmjet bizneseve dhe organizimin e forumeve B2B.

“Këto takime janë një dëshmi e rëndësisë që ka diplomacia ekonomike në promovimin e Kosovës dhe në krijimin e mundësive të reja për bizneset kosovare në tregjet ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme