Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka ngritur shqetësimin për mungesën e një modeli të qëndrueshëm zhvillimor në Kosovë, duke e krahasuar situatën ekonomike të vendit me atë të Ukrainës, e cila, pavarësisht luftës, gjatë vitit 2025 realizoi eksporte në vlerë prej mbi 40 miliardë dollarësh.
Në një postim të tij, Gërxhaliu thekson se shtetet duhet të fokusohen në gjetjen e zgjidhjeve dhe modeleve të zhvillimit, në vend që të humbin kohë duke kërkuar arsyetime për dështimet.
“Një shtet që humb kohë duke kërkuar arsye për dështimin, në vend që të gjejë rrugë, modele ekonomike dhe politike për të dalë nga dështimi, e pret mjerimi”, ka shkruar Gërxhaliu.
Sipas tij, përvoja e Ukrainës tregon se edhe në rrethana të jashtëzakonshme mund të krijohen mundësi për ruajtjen dhe zhvillimin e aktivitetit ekonomik.
“Shumë shtete e kanë shfrytëzuar edhe luftën si mundësi për zhvillim, ndërsa ne, në Kosovë, edhe lirinë po e shndërrojmë në dështim – jo vetëm ekonomik, por edhe institucional e shoqëror”, ka deklaruar ai.
Gërxhaliu i referohet të dhënave sipas të cilave eksporti i përgjithshëm i mallrave të Ukrainës në vitin 2025 arriti në rreth 40.3 deri në 42.3 miliardë dollarë amerikanë.
Produktet ushqimore dhe bujqësore, përfshirë drithërat dhe kulturat vajore, përbënin rreth 22.5 miliardë dollarë të eksporteve. Metalet dhe produktet metalike kapnin rreth 4.7 miliardë dollarë, ndërsa makineritë, pajisjet dhe mjetet e transportit rreth 3.6 miliardë dollarë.
Polonia, Turqia dhe Gjermania renditen ndër tregjet kryesore të eksporteve ukrainase. Ndërkohë, Bashkimi Evropian mbetet destinacioni kryesor, me eksporte në vlerë prej rreth 25.48 miliardë dollarësh, ose 63.1 për qind të totalit.
Duke folur për Kosovën, ish-kreu i OEK-ut thotë se vendi ende nuk ka përcaktuar një model të qartë zhvillimor.
“Republika e Kosovës është ende në kërkim të modelit zhvillimor ekonomiko-social”, ka shkruar ai.
Sipas Gërxhaliut, vite pas përfundimit të luftës, Kosova vazhdon të përballet me rritjen e varësisë nga importi dhe mungesën e një strategjie të qëndrueshme zhvillimore.
“Kaluan vite të shumta të pasluftës dhe shoqëria kosovare e rrit mvarshmërinë nga importi”, ka theksuar ai.
Gërxhaliu paralajmëron se mungesa e stabilitetit politik dhe e një vizioni të qartë zhvillimor mund të ketë pasoja afatgjata për vendin.
“Mungesa e stabilitetit politik dhe e vizionit apo modelit zhvillimor në Republikën e Kosovës do të jetë barrë edhe për gjeneratat që do të vijnë”, ka shkruar Gërxhaliu.