Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka reaguar pas aktgjykimit dënues të Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Në një deklaratë, GLPS e ka cilësuar shpalljen e aktgjykimit si një nga momentet më të rënda dhe më të ndjeshme për shoqërinë kosovare.
Sipas GLPS-së, vendimi nuk mund të trajtohet si një proces i zakonshëm gjyqësor, duke pasur parasysh ndikimin që, sipas tyre, ka në kujtesën kolektive, dinjitetin e viktimave dhe shtetin e Kosovës.
“GLPS shpreh zhgënjimin e thellë ndaj aktgjykimit dhe dënimeve të shqiptuara ndaj katër ish-udhëheqësve të UÇK-së dhe konsideron se përfundimet e këtij aktgjykimi duhet të shqyrtohen me rigorozitet të plotë, paanshmëri dhe drejtësi në shkallën e ankimimit”, thuhet në reagim.
GLPS ka kërkuar që Dhoma e Apelit të veprojë në mënyrë të pavarur, profesionale dhe të paanshme, duke shqyrtuar nëse përfundimet e shkallës së parë janë të mbështetura në ligj dhe prova.
Organizata ka bërë thirrje për unitet institucional dhe shoqëror në fazën e ardhshme të procesit.
“Në këtë fazë, më shumë se kurrë, Kosovës i duhet unitet institucional dhe shoqëror për ta trajtuar me seriozitet dhe përgjegjësi procesin e mëtutjeshëm në Dhomat e Specializuara. E drejta për ankesë është pjesë e vetë procesit gjyqësor dhe duhet të shfrytëzohet përmes një qasjeje të koordinuar, profesionale dhe të bazuar në argumente juridike. Përtej dallimeve politike dhe qëndrimeve individuale, institucionet e Kosovës duhet të jenë të bashkuara në mbështetjen e një procesi të rregullt dhe të drejtë të apelit. Në një moment kaq të ndjeshëm, uniteti, maturia institucionale dhe mbështetja e fuqishme për një proces ligjor të drejtë janë thelbësore. Ky moment nuk kërkon përçarje, por qetësi dhe bashkim rreth parimeve të drejtësisë, të së vërtetës, rezistencës dhe luftës së drejtë të UÇK-së dhe të mbrojtjes së dinjitetit të Kosovës”.