Lamine Yamal ka bërë një deklaratë interesante për Marcus Rashfordin në një intervistë të sinqertë me mediat spanjolle.
Yamal, 19 vjeç, foli për disa tema gjatë një interviste për “Movistar”, përfshirë mundësitë e tij për ta fituar Topin e Artë 2026, ndërsa gjithashtu bëri deklaratën prekëse se ka përjetuar racizëm “një mijë herë”.
Adoleshenti, i cili ka shënuar shtatë gola në gjashtë ndeshje të La Ligës këtë sezon, e përmendi në mënyrë befasuese Rashfordin teksa shpjegonte rëndësinë e rivalitetit të Barcelonës me Real Madridin, “El Clásico”.
“Mbaj mend që e pashë Rashfordin duke luajtur në ‘El Clásicon’ e tij të parë dhe mendova me vete se ai NUK e dinte ende se çfarë do të thoshte kjo ndeshje”, deklaroi Yamal.
“Pastaj, në ndeshjen e kthimit, ai e kuptoi vërtet se çfarë do të thotë një ‘Clásico’, kur shënoi një gol nga gjuajtja e lirë dhe luajti me një intensitet tjetër”, i tha Yamal “Movistarit”.
“Kur vjen nga La Masia, që nga ‘El Clásico’ yt i parë, ti tashmë e di se çfarë do të thotë kjo ndeshje dhe e di se kjo ndeshje është NJË BETEJË E PASTËR”, shtoi ai.
Kjo deklaratë mund të jetë befasuese për tifozët, pasi Rashfordi ka luajtur në dy prej rivaliteteve më të ashpra të Premierligës, kur ishte pjesë e Manchester Unitedit në ndeshjet ndaj Manchester Cityt dhe Liverpoolit.
Reprezentuesi i Anglisë zhvilloi 49 paraqitje për Barcelonën sezonin e kaluar, kur ishte i huazuar nga klubi i tij, Unitedi, ndërsa 14 golat dhe 15 asistimet e tij ndihmuan klubin ta mbronte titullin e La Ligës.
Në tri ndeshjet “El Clásico” në të cilat mori pjesë, Rashfordi regjistroi një asistim dhe shënoi në fitoren e Barçës ndaj Real Madridit më 10 maj, e cila siguroi titullin e La Ligës.
Pavarësisht kontributit pozitiv me fanellën e Barcelonës, klubi vendosi të mos e transferonte përfundimisht për vetëm 26 milionë funte gjatë afatit kalimtar të verës. Në vend të tij, katalanasit transferuan Anthony Gordonin nga Newcastle United.
Barça gjithashtu mirëpriti emrat e njohur Rodri, João Cancelo, Karim Adeyemi, Gabriel Jesus dhe Dominik Livaković gjatë afatit kalimtar të verës.
Duke folur në fillim të shtatorit, drejtori sportiv i Barçës, Deco, shpjegoi arsyet pas vendimit për ta transferuar Gordonin në vend të Rashfordit.
“Ne e shohim çdo seancë stërvitore dhe e analizojmë ekipin”, tha ai.
“Ne kemi një ide të qartë se çfarë kërkojmë. Një nga fushat ku hasëm vështirësi sezonin e kaluar, pa Raphinhan, ishte se energjia e ekipit ra. Ajo humbi. Na duhej më shumë intensitet. Analizuam shumë anësorë. Transferimi i dikujt nga Premierliga është pothuajse i pamundur, por [Flick] e kishte të qartë se çfarë dëshironte dhe prej aty punuam për një marrëveshje”, e mbylli ai.