Hamza i përgjigjet kritikës: Edhe familjes së Rexhep Selimit i kam shkruar për takim

Prishtinë | 20 Sht 2026 | 11:44 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, pasi ka vizituar familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit, është përballur me një kritikë nga një qytetar në komentet e postimit të tij në Facebook.

Sipas komentuesit, Hamza nuk kishte vizituar edhe familjen e Rexhep Selimit, ish-deputet i Vetëvendosjes.

Hamza i është përgjigjur komentit menjëherë duke thënë se edhe familjes së Rexhep Selimit i kishte shkruar dhe se pret që të takohen.

“Edhe familjes së z. Selimi i kam shkruar dhe besoj se, kurdo që ata të jenë në mundësi, do të takohemi!”, është përgjigjur Hamza në Facebook.

Dje, Bedri Hamza, vizitoi familjet Thaçi, Veseli dhe Krasniqi, pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj drejtuesve të lartë të UÇK-së.

Ai tha se do ta vazhdojnë betejën për drejtësi e liri, deri në kthimin në atdhe të luftëtarit të fundit të lirisë.

Aktgjykimi i 16 shtatorit ndaj katër ish krerëve të UÇK-së është vendim i shkallës së parë dhe procedurat e ankesës mund të ndikojnë në përfundimin përfundimtar të çështjes, pra i vendimit në Gjykatën e Apelit.

Më 16 shtator, Trupi Gjykues i shpalli të katër të akuzuarit fajtorë për krimet e luftës të ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes, ndërsa i dënoi me gjithsej 81 vjet burgim.

Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim duke llogaritur edhe kohën e qëndrimit në paraburgim.

Të ngjashme