Rigjykimi ndaj Ardian e Lavdim Krasniqit: Gjykata ndan procedurën, seanca për Ardianin vazhdon më 13 nëntor

Prishtinë | 21 Sht 2026 | 10:41 | Nga Ekonomia Online

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur rigjykimi i tretë ndaj ish-drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Lavdim Krasniqi, dhe ish-shoferit të tij personal, Ardian Krasniqi, në rastin e profilit të lartë të korrupsionit, raporton Ekonomia Online.

Në seancën e sotme, trupi gjykues vendosi që procedurat ndaj dy të pandehurve të mos bashkohen për momentin, pasi lënda ndaj Lavdim Krasniqit ndodhet në Gjykatën Supreme. Ndërkaq, procedura ndaj Ardian Krasniqit do të vazhdojë veçmas, pasi ai ndodhet në paraburgim.

Prokurori Besnik Jakupi propozoi që procedurat të mos bashkohen deri në vendimmarrjen e Gjykatës Supreme lidhur me kërkesën e Prokurorit të Shtetit.

“Me qenë se çështja për Lavdimin Krasniqin është në trajtim në Gjykatën Supreme, propozoj që të mos bashkohet procedura derisa Gjykata Supreme të vendos lidhur me kërkesën që ka bërë prokurori i shtetit”, tha prokurori.

Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Alban Ajvazi, e aprovoi propozimin e prokurorit.

“Aprovohet propozimi i prokurorit të shtetit që të mos bashkohet procedura penale ndaj të pandehurve Lavdim dhe Ardian Krasniqi, duke pasur parasysh që për të pandehurin Ardian procedura do të zhvillohet me prioritet pasi i njëjti gjendet në masën e paraburgimit. Gjithashtu janë fazat e ndryshme procedurale ku lënda për të pandehurin Lavdim gjendet në Supreme, që ka edhe disa kërkesa specifike për mbrojtjen e ligjshmërisë. Në këto rrethana lirohet i pandehuri Lavdim Krasniqi, pasi lënda të kthehet nga Supremja, procesi do të vazhdojë. Seanca do të vazhdojë për Ardian Krasniqin duke vepruar sipas aktakuzës”, tha ai.

Gjatë seancës, Lavdim Krasniqi, i pyetur nëse ka njohuri për aktakuzën e ngritur ndaj tij, ka deklaruar se i mohon akuzat.

“Nuk kam lejuar në asnjë mënyrë në asnjë çmim me u lexu një aktakuzë, në familje teme, gjakun tim që të më njolloset mbiemri”, tha ai.

“Absolut jo dhe për gjitha këto akuza kam dëshmi që jam i pafajshëm”, tha ai.

Prokurori Besnik Jakupi tha se gjatë procesit do të provohen pretendimet e aktakuzës.

“Do të vërtetohet përtej dyshimit se i pandehuri ka kryer veprat penale si në bazë të aktakuzës”, tha ai.

Ndërkaq, avokatja e Ardian Krasniqit, Bedrie Rexhepi, kërkoi që në rigjykim të qartësohen veprimet konkrete që i atribuohen të mbrojturit të saj dhe provat mbi të cilat bazohen këto pretendime.

“Pa hequr dorë nga kundërshtimet e paraqitura më herët, mbrojtje në këtë rigjykim kërkon, nga prokuroria dhe gjykata, të sqarohet çfarë veprime konkrete i atribuohen Ardian Krasniqit. Dhe në cilat prova mbështeten ato. Apeli ka kërkuar pikërisht sqarimin e rolit të akuzuarit dhe raportit të pretenduar në aktakuzë. Ne si mbrojtje do të kërkojmë përgjigje të arsyetuara dhe të mbështetura me prova konkrete dhe sigurisht duke shmangur përsëritjen e vendimeve të kaluara. Mbrojtja është e sigurt që nuk ka prova as materiale që vërtetojnë veprimet dhe elementet e veprave penale, andaj besojmë që pas këtij shqyrtimi gjyqësor Ardian Krasniqi do të lirohet nga të gjitha pikat e akuzës”, tha ajo.

Prokuroria kërkoi ndërprerjen e seancës në mënyrë që të përgatisë dhe t’ia dorëzojë gjykatës materialet dhe dëshmitë që lidhen me Ardian Krasniqin.

“Duke pasur parasysh se në aktakuzë ekzistojnë një numër i madh i dëshmitarëve dhe provave, prokuroria konsideron që dëshmitarët dhe provat materiale duhet të ndahen sa i përket të pandehurit Ardian, dhe për këtë propozoj që shqyrtimi i sotëm të ndërpritet në mënyrë që prokurori me një anë të një parashtrese të njoftoj gjykatën lidhur me provat dhe dëshmitarët dhe për këtë na nevojiten 10-15 ditë”, tha prokurori.

Mbrojtja kërkoi edhe ndërprerjen e paraburgimit ndaj Ardian Krasniqit, duke propozuar masën e arrestit shtëpiak ose dorëzimin e dokumenteve të udhëtimit.

“Mbrojtja kërkon nga gjykata ndërprerjen e masës së paraburgimit për Ardian Krasniqin. Duke shtuar që i njëjti gjendet në këtë masë që nga data 20 janar 2026 në Itali, sepse edhe kjo pjesë e kaluar në paraburgim gjatë asaj kohë të llogaritet dhe të kihet parasysh nga gjykata, andaj caktimi i arrestit shtëpiak ose edhe dorëzimi i dokumenteve të udhëtimit përmbush standardin procedural të kërkuar nga ligji”, tha ajo.

Prokuroria kundërshtoi kërkesën, duke thënë se ende ekzistojnë arsyet për vazhdimin e paraburgimit.

“Konsideroj që edhe më tej ekzistojnë shkaqet që të pandehurit t’i vazhdohet masa e paraburgimit, duke pasur parasysh faktin se të njëjti dy herë më parë i ka shkelur masat për sigurinë e të pandehurit. Andaj propozoj që këtë propozim ta refuzojë”, tha prokurori.

Trupi gjykues e refuzoi kërkesën e mbrojtjes për ndërprerjen e paraburgimit dhe vendosi që seanca e radhës të mbahet më 13 nëntor, nga ora 10:00.

“Refuzohet propozimi i mbrojtjes për ndërprerjen e masës së paraburgimit, pasi që lënda tani gjendet në Gjykatën e Apelit sipas ankesës së parashtruar nga ana e mbrojtjes. Aprovohet propozimi i prokurorit që seanca të ndërpritet, seanca e radhës do të jetë më 13 nëntor nga ora 10:00”, tha trupi gjykues.

Ky rast ishte kthyer sërish në rigjykim pasi Gjykata e Apelit kishte anuluar aktgjykimin e shkallës së parë për pikat I dhe II të dispozitivit, duke gjetur shkelje esenciale procedurale. Rigjykimi lidhet me veprat penale “Ushtrim ndikimi” dhe “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, ndërsa për pikat e tjera të aktgjykimit, sipas të dhënave të rastit, vendimi i mëparshëm është vërtetuar.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Lavdim dhe Ardian Krasniqi akuzohen se nga janari i vitit 2018 deri në fund të vitit 2019, në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi, kanë kërkuar dhe pranuar para e dhurata nga Bashkim Mulolli. Përmes Ardian Krasniqit, dyshohet se janë pranuar deri në 40 mijë euro me qëllim të ushtrimit të ndikimit.

Aktakuza i ngarkon gjithashtu me pretendimin se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare duke penguar arrestimin e Albi Mulollit, i dyshuar për vrasje të rëndë në tentativë, dhe duke i mundësuar arratisjen drejt Shqipërisë me veturën zyrtare të Këshillit Prokurorial të Kosovës, e cila shfrytëzohej nga Lavdim Krasniqi.

Të ngjashme