Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka kërkuar mbështetje nga partitë politike për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, raporton Ekonomia Online.
Ai tha se kjo lidhet me një çështje që tejkalon përmasat e një subjekti politik apo të një mandati qeverisës.Hamza tha se i ka informuar përfaqësuesit për procedimin e projektligjit, ndërsa u ka kërkuar mbështetje për miratimin e tij në Kuvendin e Kosovës.
“Unë i kam informuar që ne do të procedojmë me këtë projektligj. Ju kemi kërkuar mbështetje, dhe mbështetja e tyre do të tregohet konkrete brenda procedurave të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Edhe sot u bëj thirrje, u lutem për përkrahje të ligjit sepse kjo çështje i tejkalon përmasat e një subjekti politik, të një mandati të një qeverisjeje, por këtu kemi të bëjmë me historinë e Kosovës. Edhe ne po kërkojmë që të ketë drejtësi, e mos të tjetërsohet historia”, tha Hamza.
